
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që prej ditësh janë përfshirë në protesta.
“Jam sot, para jush, për të bërë thirrje demokrateve dhe demokratëve, qytetarëve të mbarë Shqipërisë, ditën e shtunë, në orën 12:00, në protestën më të fuqishme që ka njohur vendi, në mbështetje të revoltës studentore. Revolta studentore përbën, në fakt, përballjen më të ashpër dhe më të suksesshme të rinisë shqiptare me narkoshtetin, narkoregjimin, padrinon Edi Rama.
Rrugët dhe sheshet e Tiranës janë dëshmitare të akteve të trimërisë dhe guximit më të madh që kanë parë ndonjëherë, por edhe të barbarive të qëndrimeve shtazarake, të narkobanditëve të Edi Ramës, të cilët mbrojnë një kufomë politike në grahmat e fundit.
Revolta studentore dhe e gjimnazistëve të Tiranës është shndërruar në shpresën e madhe të mbarë shqiptarëve.
Ndaj dhe, e shtuna është dita që fton çdo shqiptar të rreshtohet përkrah tyre. Përkrah bijve dhe bijave të qytetarëve të këtij vendi, përkrah trimave, guximtarëve, që po bëjnë atë të cilën duhet ta bëjë çdo qytetar. Studentët, gjimnazistët, kanë fituar një simpati të jashtëzakonshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ju e dini, këta muajt e fundit, Shqipëria ka qenë shumë shpesh në kryetitujt e mediave të botës, por raportimet e revoltës studentore i kalojnë përkrah mbështetja, simpatia dhe paraqitja të gjitha zhvillimet e tjera në Europë dhe në botë. Ndaj dhe, edhe një herë ftoj demokratët dhe demokratet të shtunën, në një lloj si e shtuna që kaloi, në të cilën mbështetën fuqishëm, të bashkohemi.
Ftoj çdo qytetar, askush nuk fton më shumë, asgjë nuk grish më shumë, shqiptarët e të gjitha bindjeve të bashkohen kundër kësaj të keqeje të përbashkët, të madhe, që e ka emrin Edi Rama. Ju e dëgjuat, një gjeneratë e tërë e ka të vështirë të kuptojë se çfarë do të thotë Edi Rama kthehet në genin e etërve të tij mizorë, sepse ata nuk kanë përjetuar, kanë qenë fatlumë, nuk kanë përjetuar një ditë të vetme apo kanë qenë fëmijë të hershëm gjatë diktaturës komuniste.
Por e vërteta është se ky bastard i bllokmenëve të kuq, po shpalos çdo ditë psikologjinë e tyre çnjerëzore, po shpalos çdo ditë urrejtjen për kundërshtarin politik dhe urrejtjen për qytetarët e thjeshtë. Bashkimi i të gjitha forcave, përpjekjeve, kundër kësaj të keqeje, është rruga më e sigurtë e largimit sa më shpejt të saj”, deklaroi Berisha në një dalje për mediat.
