
Punimet për ndërtimin e strehës së re për qentë endacakë në Shkodër janë në fazën përfundimtare. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili publikoi pamje nga ambientet e reja.
Sipas tij, aktualisht po përmbyllen punimet rrethuese dhe vendosja e dyerve të kafazeve. Struktura e re do të përfshijë edhe një klinikë veterinare, ku do të ofrohen shërbime për kujdesin shëndetësor, trajtimin dhe sterilizimin e qenve. Kryetari i Bashkisë e cilësoi projektin një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më të sigurt dhe trajtimit dinjitoz të kafshëve.
”Prania e qenve endacakë në rrugët e qytetit është një nga shqetësimet e qytetit që po perpiqmi ta zgjidhim. Po merr formë streha e re për qentë endacakë në Shkodër! Punimet janë në fazën përfundimtare, me mbylljen e rrethimeve dhe vendosjen e dyerve të kafazeve. Streha do të ketë edhe një klinikë veterinare për kujdesin shëndetësor, trajtimin dhe sterilizimin e qenve. Një hap i rëndësishëm për një qytet më të sigurt dhe për trajtimin dinjitoz të kafshëve. Kujdesi për kafshët është edhe tregues i qytetarisë sonë”,-shkruan Beci.
