“Shqipëria në fazë ndryshimi që kur ‘flamengot’ zbritën në shesh”, Rama për protestat: Sfida e Europës, mbrojtja e të rinjve nga rrjetet sociale

Politikë | 26 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri gjatë fjalës së tij në Samitin e Zgjerimit të Euronews, duke theksuar se vendi ka hyrë në një fazë të re, ku pritshmëritë e qytetarëve janë rritur ndjeshëm.

Rama u shpreh se protestat nuk janë një fenomen që po ndodh vetëm në Shqipëri, por janë pjesë e një realiteti më të gjerë, që po përfshin vende të ndryshme. Sipas tij, një nga sfidat kryesore të kohës është përplasja mes realitetit konkret dhe atij që krijohet në rrjetet sociale.

Duke iu referuar protestave në Shqipëri, Rama kritikoi mënyrën se si, sipas tij, ngjarjet paraqiten në rrjetet sociale, ku krijohet një perceptim i ndryshëm nga ai që ndodh në terren.

“Ajo që mund të them është se Shqipëria është në një fazë tjetër dhe kemi hedhur një hap historik, nga një vend që kishte nevojë për shumë gjëra, në një vend me pritshmëri të larta. Njerëzit sot kanë pritshmëri të larta. Nuk jemi vetëm ne, protestat po ndodhin gjithkund dhe do të ishte më e ndërlikuar për vendet që ende nuk e shohin se çfarë po vjen. Kemi një realitet të ri që po sfidon realitetin tonë të përbashkët, realitetin e mediave sociale. Janë dy botë të ndryshme. E kam parë personalisht si një fuqi për të krijuar një përballje skizofrenike me realitetin.

Kishim një grup të dhunshëm, kishim dyfishin e të lënduarve efektivë. Policia ishte pala më e dëmtuar në këto demonstrata, por po të shihni median sociale, ajo që do të mendonit për atë protestë është se bëhet fjalë për brutalitet unik të policisë. Ky është vetëm një shembull. Na duhet të përballemi me këtë brez që po rritet me realitetin e vet dhe kjo nuk është e lehtë”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për nevojën e ndryshimit, duke deklaruar se as ai dhe as qeveria nuk duhet të mendojnë se nuk kanë më nevojë të ndryshojnë.

“Unë dua të ndryshoj. Ditën që do të mendoja se unë nuk kam nevojë të ndryshoj dhe se qeveria nuk ka nevojë të ndryshojë, atëherë do ta lë këtë punë. Unë kam ndryshuar në çdo lloj mënyre, gjithmonë, sepse jetoj për ndryshimin”, deklaroi Rama.

Në vijim, ai e lidhi sfidën e sotme edhe me ndikimin e teknologjisë dhe mediave sociale te të rinjtë, duke paralajmëruar për atë që e cilësoi si një përplasje mes dy realiteteve. Sipas Ramës, Europa po shpenzon miliona për mbrojtjen e sigurisë dhe të hapësirës ajrore, por duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje edhe mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve nga ndikimet që vijnë përmes botës digjitale.

“Ndryshimi nisi që kur flamingot zbritën në shesh, por kjo nuk ka të bëjë vetëm me vendin apo qeverinë, por me botën ku po jetojmë. Ka të bëjë me dy realitete të ndryshme, që do të jetë gjithmonë e më e vështirë për Europën dhe demokracinë, ku po shpenzohen miliona për të mbrojtur qiejt, por ende nuk po kuptohet se ajo që kanë nevojë të mbrojnë janë fëmijët dhe të rinjtë tanë, të cilët janë krejtësisht të pambrojtur dhe brenda mendjeve të të cilëve po ndodhin gjëra që, larg qoftë, do ta bëjnë Europën e së nesërmes të drejtohet nga lloje të ndryshme njerëzish”, tha Rama.

Rama vlerësoi se Shqipëria po ecën mirë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, por pranoi se pritshmëritë e qytetarëve janë rritur dhe se ata kërkojnë më shumë nga rezultatet që prodhon aktualisht ekonomia.

“Sot kemi një përplasje realitetesh që sapo ka zënë fill. Është një sfidë. Ndikohem, sepse po përpiqem të kuptoj si të bëj më shumë dhe më mirë. Shqipëria po ecën shumë mirë kur flitet për rrugëtimin europian, por nga ana tjetër është e qartë se njerëzit duan më shumë nga ajo që ekonomia prodhon sot”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme