Kush është emri që bashkon opozitën në garën për bashkinë e Tiranës? Berisha: Kemi kandidatë me vlera të larta qytetare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se emrat e kandidatëve dhe drejtuesve të rinj të qarqeve për zgjedhjet e ardhshme lokale do të bëhen publikë sa më shpejt.
Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh se mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve do të vendoset nga forumet e partisë, duke pranuar se brenda PD-së ka mendime të ndryshme për këtë çështje.
I pyetur nëse kandidatët për bashkitë do të përzgjidhen përmes procesit të primareve, kreu i demokratëve tha se statuti ka përcaktimet e veta, por vendimmarrja do t’u takojë forumeve të partisë.
“Emrat e drejtuesve dhe kandidatëve do të jenë në një kohë sa më shpejt të mundur. Lidhur me procedurën, ka mendime të ndryshme, dhe ajo do vendoset nga forumet e partisë. Nuk mund të them tani. Statuti ka përcaktimet e veta, por mendime ka të ndryshme, ç’është e vërteta”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarja e Vizion Plus, Olta Blaceri nëse PD ka një emër që do të bashkojë opozitën në garën për Bashkinë e Tiranë, Berisha deklaroi se opozita ka kandidatë me vlera të larta qytetare, por theksoi se më e rëndësishme është bashkimi i forcave politike opozitare në një front të përbashkët, jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë.
“Ju siguroj se opozita ka kandidatë me vlera të larta qytetare, ka kandidatë shumë të mirë dhe e rëndësishme është që forcat politike opozitare të bashkohen në një front të përbashkët jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Vetëm një front i bashkuar mund të arrijë atë ndryshim që me padurim e presin shqiptarët”, tha kreu i PD.




