Vendosni fjalën kyçe....

Rama komenton protestat në Tiranë dhe marrëveshjen me Italinë: Do të jetë në fuqi deri në vitin 2050



Protestat që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë, ku qytetarë dhe studentë kërkojnë ndryshime politike dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, janë komentuar edhe nga kreu i qeverisë gjatë një interviste për gazetaren Maria Tadeo.

Rama i cilësoi protestat si përpjekje të politikës së brendshme për të përfituar mbështetje elektorale. Gjatë intervistës, ai foli gjithashtu për çështjen e emigracionit, marrëveshjen me Italinë dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar emigracionit, kryeministri u shpreh se kjo çështje nuk mund të zgjidhet thjesht përmes forcimit të kontrolleve kufitare. Sipas tij, në Shqipëri tema përdoret edhe për qëllime të politikës së ditës dhe për të siguruar mbështetje elektorale.

Sa i përket marrëveshjes me Italinë për emigrantët, Rama deklaroi se ajo do të mbetet në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke përmendur edhe vitin 2050 dhe qëndrimin e Giorgia Melonit në krye të qeverisë italiane.

“Është përpjekje për të gjetur një rrugëzgjidhje, për të trajtuar një çështje që nuk do të zhduket se do të forcohen kufijtë. Kjo gjë përdoret për qëllime të brendshme të politikës së ditës, që duan të marrin copa nga elektorati. Nuk po jap këshilla, se nuk i shoh televizionet italiane. Pres që italianët të më japin mua SMS. S’do të jap tituj për motrën time. Marrëveshja me Italinë do të qëndrojë në fuqi për aq sa të jetë e nevojshme, deri në 2050-ën, deri sa ajo (Meloni) të jetë kryeministre”, u shpreh Rama.

Kryeministri foli edhe për procesin e integrimit evropian, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të bazohet te meritat dhe jo te dhuratat apo rrugët e shkurtra. Megjithatë, ai kërkoi që vendet kandidate të përfshihen në tryezën evropiane edhe përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit.

Për ta shpjeguar këtë qëndrim, Rama përdori analogjinë e një familjeje, duke përmendur Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet t’i mbajë vendet kandidate pranë vetes gjatë procesit të zgjerimit, në mënyrë që ato të mos orientohen drejt ndikimeve dhe partneriteteve të tjera, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

“Kam bindjen se procesi i bazuar në meritë duhet të jetë. Nuk duhet të ketë asnjë dhuratë apo rrugë të shkurtër, apo fleksibilitet. BE duhet të jetë në gjendje të pikasë dhe të gjejë momentin e Helmut Kohl. Ndaj BE duhet të sjellë gjithkënd rreth tryezës, njerëz si në një familje, siç i sjell Ursula shtatë fëmijët e saj. Të jemi rreth tryezës dhe më pas të kalojmë drejt procesit të meritës”, deklaroi Rama.