Serbia, Belgjika dhe Rumania do të jenë rivalet e Kombëtares shqiptare të vajzave në edicionin e ri të UEFA Women’s Nations League 2027. Shorti i zhvilluar sot në Nyon të Zvicrës i vendosi kuqezinjtë në grupin B1.
Përballjet brenda grupit do të luhen me sistem vajtje-ardhje. Secila kombëtare do të presë një herë në fushën e saj çdo kundërshtare dhe do ta sfidojë atë edhe një herë në transfertë.
Të lidhura
None found
Për fazën e grupeve janë përcaktuar tri dritare ndërkombëtare gjatë vitit 2027. Ndeshjet 1 dhe 2 do të zhvillohen nga 23 shkurti deri më 6 mars 2027, ndeshjet 3 dhe 4 nga 13 deri më 24 prill 2027, kurse ndeshjet 5 dhe 6 nga 7 deri më 15 qershor 2027.
Liga B përbëhet nga 16 kombëtare, të organizuara në katër grupe me nga katër ekipe. Skuadra që mbyll në krye secilin grup ngjitet në Ligën A për fazën kualifikuese të Kampionatit Europian 2029.
Për katër skuadrat që zënë vendet e dyta në grupet e Ligës B, mundësia e kalimit në Ligën A do të vendoset në tetor 2027. Ato do të përballen me vajtje-ardhje me kombëtaret e vendeve të treta të grupeve të Ligës A. Fitueset do të garojnë në Ligën A, ndërsa të eliminuarat do të vijojnë në Ligën B.
Nga kombëtaret që e përfundojnë grupin në vendin e tretë në Ligën B, dy me renditjen më të mirë do të kenë mundësi ta mbrojnë kategorinë në play-off. Përballë tyre do të jenë dy skuadrat me renditjen më të mirë mes vendeve të dyta të Ligës C. Suksesi në këto duele siguron pjesëmarrjen në Ligën B, ndërsa humbja çon në Ligën C.
Rënia e drejtpërdrejtë në Ligën C u takon dy skuadrave të tjera të vendeve të treta në Ligën B, si edhe katër kombëtareve që i mbyllin grupet në vendin e fundit.
Shorti i play-off-it për ngjitjen dhe rënien nga kategoria është planifikuar për më 18 qershor 2027. Takimet do të luhen me sistem vajtje-ardhje nga 4 deri më 12 tetor 2027.





