Qarkullonte me automjet i armatosur, arrestohet 20-vjeçari në Tiranë, procedohen dy familjarët e tij që kundërshtuan policinë

Aktualitet | 1 minutë më parë

Një 20-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi u kap duke qarkulluar me automjet i armatosur me pistoletë dhe municion luftarak. Në pranga ka rënë i riu me inicialet S. D., banues në kryeqytet, ndërsa dy familjarë të tij janë proceduar penalisht pasi kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë kontrollit të banesës.

Sipas njoftimit të Policisë, ndalimi i automjetit u bë në rrugën “Kastriotët”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative.

Gjatë kontrollit të makinës, efektivët gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Pas këtij konstatimi, 20-vjeçari u arrestua në flagrancë.

Në vijim të hetimeve, Policia ushtroi kontroll edhe në banesën e të riut. Gjatë këtij veprimi, dy familjarë të tij, A. D., 51 vjeç, dhe L. D., 23 vjeç, dyshohet se kundërshtuan punonjësit e Policisë me qëllim pengimin e kontrollit. Për këtë arsye, ata u proceduan penalisht në gjendje të lirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme