Fati i Kongresit amerikan dhe dy vitet e mbetura të presidencës së Donald Trump janë në duart e votuesve, të cilët këtë të martë po marrin pjesë në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Gara zhvillohet mes një pjesëmarrjeje të lartë, me mbi 59 milionë vota të hedhura para kohe, ndërsa demokratët synojnë t'u marrin republikanëve kontrollin e njërës ose të dyja dhomave të Kongresit.
Presidenti Donald Trump i ka cilësuar këto zgjedhje si më të rëndësishmet në historinë amerikane, ndërsa ka njoftuar në rrjetin e tij social Truth Social atë që e konsideron fitoren e parë të republikanëve në Guam, një territor amerikan në Oqeanin Paqësor.
Sipas Trump, republikanët kanë fituar garën për guvernatorin e ishullit, si dhe shumicën në Senatin lokal, duke marrë kontrollin e një territori që ai e përshkruan si tradicionalisht demokrat.
“Guam, i konsideruar prej kohësh një territor shumë demokrat, sapo ka parë shpalljen e parakohshme të fitores së republikanëve për postin më të rëndësishëm, atë të guvernatorit. Urime Tony Ada! Për më tepër, republikanët kanë siguruar shumicën në Senatin lokal”, shkroi Trump.
“Shpresojmë që ky të jetë një sinjal për atë që do të ndodhë!”, shtoi presidenti amerikan.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Universitetit të Floridës, të raportuara nga mediat amerikane, numri i votave të parakohshme ka tejkaluar shifrën prej 50.5 milionësh të regjistruar në të njëjtën periudhë të zgjedhjeve të vitit 2022. Miliona qytetarë të tjerë po votojnë gjatë ditës së martë, ndërsa pjesëmarrja përfundimtare do të përcaktohet pas mbylljes së qendrave dhe përpunimit të fletëve të votimit.
Teksasi është ndër shtetet me pjesëmarrjen më të lartë, me mbi 7.7 milionë vota të parakohshme. Në Miçigan, 32.9% e votuesve aktivë të regjistruar kishin votuar përpara hapjes së qendrave këtë të martë, ndërsa Minesota ka shënuar rekord për zgjedhjet e mesmandatit, me mbi 886 mijë vota të hedhura paraprakisht.
Procesi zgjedhor po zhvillohet përgjithësisht pa incidente madhore, megjithëse janë raportuar probleme teknike në disa zona. Në kontenë Westchester të Nju Jorkut, ku zhvillohet një garë e fortë për Dhomën e Përfaqësuesve, pajisjet e skanimit të fletëve të votimit kanë shfaqur defekte. Autoritetet lokale kanë aktivizuar sistemet rezervë dhe kanë garantuar se të gjitha votat do të përpunohen.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka angazhuar rreth 1 mijë monitorues federalë në të 50 shtetet, në kuadër të një operacioni të gjerë për mbikëqyrjen e respektimit të rregullave zgjedhore.
Vëmendja është përqendruar te garat e ngushta për Senatin në Teksas, Ohajo, Miçigan, Ajova dhe Kanzas, si dhe te zonat zgjedhore ku demokratët kërkojnë të fitojnë vendet e nevojshme për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Por çfarë po votojnë amerikanët dhe pse kanë rëndësi këto zgjedhje?
Amerikanët nuk po votojnë për presidentin, pasi Donald Trump është në mandatin e tij të dytë, por për përbërjen e re të Kongresit, parlamentit amerikan që përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.
Në këto zgjedhje janë në garë të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, ku mandati zgjat dy vjet, si dhe 35 vende në Senat, ku senatorët zgjidhen për gjashtë vjet. Ndryshe nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati rinovohet pjesërisht çdo dy vjet.
Për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve nevojiten 218 vende, ndërsa në Senat 51. Aktualisht, republikanët kontrollojnë të dyja dhomat, me 219 deputetë dhe 53 senatorë, kundrejt 214 deputetëve demokratë dhe 45 senatorëve demokratë, si dhe dy të pavarurve.
Demokratëve u duhen edhe tre vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe katër vende në Senat.
Kur do të mësohen rezultatet?
Qendrat e para të votimit pritet të mbyllen në orën 00:00 të së mërkurës, 4 nëntor, sipas orës shqiptare. Për shkak të zonave të ndryshme kohore në SHBA, qendrat e tjera do të mbyllen gradualisht gjatë natës dhe orëve të mëngjesit në Shqipëri.
Numërimi do të nisë pas mbylljes së qendrave përkatëse të votimit. Rezultatet do të publikohen gradualisht, ndërsa në garat e ngushta mund të duhet më shumë kohë për të përcaktuar fituesit.
Çfarë mund të ndodhë pas votimit
Nëse një parti arrin të fitojë shumicën në të dyja dhomat, do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme. Kjo do t’i japë mundësinë të çojë përpara programin e saj dhe të bllokojë nismat e kundërshtarëve.
Partia fituese do të ushtrojë pushtetin ligjvënës dhe, nëse fitojnë demokratët, do të mund të forcojë mbikëqyrjen parlamentare ndaj veprimtarisë së presidentit Trump.
Nëse Kongresi mbetet në duart e republikanëve, Trump do ta ketë më të lehtë të përmbushë premtimet elektorale dhe të miratojë ligje apo reforma, për të cilat nevojitet vota e të dyja dhomave.
Nëse demokratët marrin kontrollin qoftë edhe të njërës dhomë, do të krijohet ajo që në sistemin amerikan quhet “qeverisje e ndarë”: presidenti dhe të paktën njëra nga dhomat e Kongresit do t’u përkasin partive të ndryshme.
Në një situatë të tillë, miratimi i ligjeve të reja do të bëhej më i vështirë për Trumpin dhe do të kërkonte negociata me kundërshtarët politikë.
Fletët e votimit do të vendosen në këtë cantë
Një gabim në programimin e makinerive të votimit ka shkaktuar probleme në 332 qendra votimi në qarkun Westchester të Nju Jorkut.
Makineritë nuk po arrijnë të lexojnë fletët e votimit dhe, sipas kreut të qarkut, Ken Jenkins, problemi mund të prekë deri në 250 mijë fletë.
Për të mos ndërprerë votimin, qytetarët po i hedhin votat në fletë të posaçme, të cilat ruhen për t'u skanuar dhe numëruar pas mbylljes së qendrave, në orën 03:00 të mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare. Autoritetet sqaruan se votat nuk do të numërohen me dorë.
Aleatët e presidentit amerikan kanë përdorur defektin për të akuzuar demokratët po përpiqen të manipulojnë votimin.

Elon Musk u ka bërë thirrje amerikanëve të votojnë për Partinë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit që po mbahen sot në SHBA. “Votoni të kuqen sot!”, shkroi miliarderi në rrjetin social X, duke iu referuar ngjyrës së kuqe, që tradicionalisht përfaqëson republikanët.
Vote red today!
— Elon Musk (@elonmusk) November 3, 2026
Donald Trump ka përshëndetur fitoren e republikanëve në Guam, një ishull në Oqeanin Paqësor, në lindje të Filipineve, që është territor i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan shkroi në Truth Social se republikanët kanë fituar postin e guvernatorit me Tony Ada dhe kanë siguruar shumicën në Senatin lokal, megjithëse Guami është konsideruar prej kohësh një territor me mbështetje të fortë për demokratët.
“Urime Tony Ada! Shpresojmë që ky të jetë një sinjal për atë që do të ndodhë!”, shkroi Trump, duke iu referuar zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se synon të ndërpresë deri në fund të vitit ndihmën ushtarake prej afro 4 miliardë dollarësh në vit për Izraelin, duke e lidhur vendimin me kritikat e demokratëve gjatë fushatës zgjedhore.
Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kishte thënë se Izraeli nuk kishte nevojë për këtë ndihmë.
“Pse duhet të durojmë sulmet e njerëzve të çmendur si Abdul El-Sayed, kur ata nuk kanë nevojë për ndihmën?”, u shpreh ai, duke iu referuar kandidatit demokrat për Senatin në Miçigan.
Sipas CNN, çështja e ndihmës për Izraelin është kthyer në temë kryesore të kësaj gare, ndërsa Trump la të kuptohej se ndërprerja e saj synon t'u heqë demokratëve një argument politik.
Presidenti tha se Izraeli mund të vazhdojë të blejë vetë pajisje ushtarake amerikane dhe se kursimet do të përdoren për të synuar balancimin e buxhetit federal. Megjithatë, vendimet për ndarjen e fondeve publike i takojnë Kongresit, jo presidentit.

Presidenti Donald Trump e ka mbyllur fushatën për zgjedhjet e mesmandatit me një mesazh optimist për gjendjen e Shteteve të Bashkuara, duke deklaruar se Amerika është rikthyer në një vend të fuqishëm dhe të respektuar në botë.
“Duhet ta mbajmë Amerikën të madhe. Tani jemi të mëdhenj. Dy vite më parë ishim në gjendje të tmerrshme, ishim objekt talljeje në të gjithë botën. Udhëheqësit e vendeve të tjera as nuk na merrnin seriozisht. Mendonin se ishim budallenj. Sot Amerika është në kulmin e saj”, deklaroi Trump për Fox & Friends.
Presidenti përmendi edhe rënien me 10 dollarë të çmimit të naftës, duke pretenduar se SHBA ka kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit përmes bllokadës detare.
Megjithatë, sondazhet tregojnë një panoramë tjetër. Sipas CNN, vetëm 34% e amerikanëve e miratojnë punën e Trump, ndërsa 73% shprehen të pakënaqur me mënyrën se si ai po menaxhon ekonominë.
Pavarësisht deklaratave të presidentit për uljen e çmimit të naftës, benzina ka arritur në 4.15 dollarë për gallon, niveli më i lartë i regjistruar në një ditë zgjedhjesh, sipas të dhënave të AAA.
Një nga betejat më të forta për kontrollin e Kongresit amerikan po zhvillohet vetëm pak kilometra larg Nju Jorkut, ku republikanët rrezikojnë të humbasin një vend të rëndësishëm në Dhomën e Përfaqësuesve. Bëhet fjalë për distriktin e 17-të, ku në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 fitoi demokratja Kamala Harris.
Sipas CNN, deputeti republikan Mike Lawler, i zgjedhur në vitin 2022, po përballet me demokraten Cait Conley, ish-zyrtare e administratës Biden dhe veterane e ushtrisë amerikane.
Lawler ka kërkuar të fitojë mbështetje edhe përtej elektoratit republikan, duke u distancuar në disa raste nga Donald Trump dhe duke siguruar mbështetjen e disa politikanëve demokratë. Nga ana tjetër, Conley e ka përqendruar fushatën te përvoja e saj në sigurinë kombëtare dhe premtimet për uljen e kostos së jetesës.
Rëndësia e kësaj gare ka bërë që të shpenzohen mbi 40 milionë dollarë për reklama elektorale, ndërsa në fushatë janë angazhuar figura të njohura të të dyja partive.
Për banorët e zonës, shqetësimi kryesor mbetet ekonomia, veçanërisht rritja e çmimeve të karburanteve, ushqimeve dhe banesave.

Administrata Trump ka dërguar rreth 1 mijë vëzhgues federalë në 126 qarqe dhe qytete të SHBA-së, kryesisht në zona që tradicionalisht mbështesin demokratët, raporton CNN.
Vendimi ka ngritur shqetësime mes demokratëve, të cilët druhen se vëzhguesit mund të përdoren për të kontestuar rezultatet zgjedhore.
Departamenti i Drejtësisë sqaron se vëzhguesit janë juristë, jo policë, dhe kanë për detyrë të monitorojnë shkeljet e mundshme pa ndërhyrë në votim. Në zgjedhjet e vitit 2022, administrata Biden kishte dërguar më pak se 400 vëzhgues.

Elon Musk ka shprehur shqetësimin se një fitore e plotë e demokratëve në zgjedhjet presidenciale dhe ato për Kongresin në vitin 2028 mund të sjellë ndryshime të mëdha politike në Shtetet e Bashkuara.
“Shqetësimi im më i madh është se nëse demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe Presidencën në vitin 2028, ata do ta bëjnë Uashingtonin dhe Porto Rikon shtete për të siguruar një shumicë të fortë në Senat”, shkroi Musk në platformën X më 30 tetor, ndërkohë që sot u bëri thirrje ndjekësve të tij të votojnë për republikanët.
Ai pretendon gjithashtu se demokratët do të hapnin kufijtë dhe do t'u jepnin status ligjor të gjithë emigrantëve që jetojnë ilegalisht në SHBA, për të konsoliduar mbështetjen e tyre politike.

Mbi 100 ish-astronautë të NASA-s u kanë bërë thirrje amerikanëve të votojnë në zgjedhjet e mesmandatit, duke paralajmëruar për rreziqet që kërcënojnë demokracinë dhe parimet kushtetuese të vendit.
Në një letër të hapur, të publikuar nga organizata Astronauts for America, ata theksojnë se asnjë president apo agjenci federale nuk ka të drejtë të marrë kontrollin e administrimit të zgjedhjeve në shtetet amerikane.
“Çdo amerikan duhet të ketë besim se zgjedhjet zhvillohen sipas ligjit, se çdo votë e ligjshme numërohet dhe se rezultatet përcaktohen nga procedurat ligjore, jo nga presioni politik apo ushtrimi arbitrar i pushtetit”, thuhet në letër.
Mes nënshkruesve janë figura të njohura si Scott Kelly, Rusty Schweickart, Charles Bolden, Bill Nelson dhe Ellen Ochoa. Mesazhi përbën edhe një kritikë të tërthortë ndaj përpjekjeve të Donald Trump për të ndërhyrë në administrimin e zgjedhjeve.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka cilësuar zgjedhjet e mesmandatit që po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara si më të rëndësishmet në historinë e vendit.
Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se administrata e tij ia ka dalë ta bëjë Amerikën sërish të madhe, duke sugjeruar se slogani i tij i njohur, “Make America Great Again”, mund të mos jetë më i nevojshëm.
“Më lejoni t'ju them se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme, sepse ne ia kemi dalë vërtet ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, deklaroi presidenti amerikan.
Sipas Trump, Shtetet e Bashkuara janë tashmë një vend i fuqishëm dhe i respektuar në mbarë botën, ndaj edhe slogani që e shoqëroi gjatë fushatave të tij elektorale mund të konsiderohet i tejkaluar.
“Nëse njerëzit në Shtetet e Bashkuara do të lodheshin ndonjëherë prej meje, do të shpërngulesha në Izrael dhe do të bëhesha kryeministër”, u shpreh Trump.

Mbi 2.4 milionë amerikanë kanë votuar përpara ditës zyrtare të zgjedhjeve në Miçigan, një nga shtetet ku zhvillohet një prej garave më të rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan.
Rreth 1.7 milionë votues kanë dorëzuar fletët e votimit me postë, ndërsa mbi 750 mijë të tjerë kanë votuar fizikisht në qendrat e hapura për votimin e parakohshëm.
Kjo do të thotë se rreth 33% e 7.4 milionë votuesve të regjistruar në Miçigan e kanë ushtruar të drejtën e votës përpara hapjes së qendrave të votimit këtë të martë, në orën 07:00 sipas kohës lokale.
Për krahasim, në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2022, deri në ditën e zgjedhjeve ishin dorëzuar 1.5 milionë vota me postë, ndërsa numri përfundimtar arriti në 1.8 milionë, nga gjithsej 4.5 milionë vota të hedhura.
Në atë kohë, Miçigani nuk e ofronte ende mundësinë e votimit të parakohshëm fizik, e cila u miratua përmes një referendumi në vitin 2022.
Ndërkohë, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, rreth 1.2 milionë qytetarë votuan paraprakisht në qendrat e votimit dhe 2.2 milionë me postë, duke e çuar në 3.4 milionë numrin e përgjithshëm të votuesve që kishin votuar përpara ditës së zgjedhjeve.
Pjesëmarrja më e lartë në vitin 2024 lidhet edhe me faktin se zgjedhjet presidenciale zakonisht tërheqin më shumë votues sesa zgjedhjet e mesmandatit.

Nga Nju Jorku deri në Alaskë, mbyllja e qendrave të votimit dhe numërimi i votave për zgjedhjet e mesmandatit, në të cilat zgjidhen edhe drejtues për shumë poste vendore në shtete të ndryshme, do të zhvillohen përgjatë gjashtë brezave orarë. Qendrat e para të votimit që do të mbyllen do të jenë ato në lindje të vendit, në Kentaki dhe Indiana, në mesnatë sipas orës italiane (në vijim, të gjitha oraret do të jenë sipas orës shqiptare, shën. red.), dy shtete që vështirë se do të japin tregues vendimtarë.
Një orë më vonë do të fillojnë të mbërrijnë rezultatet e para nga Florida, Xhorxhia, Karolina e Jugut, Virxhinia dhe Vermonti. Karolina e Jugut është një nga garat që duhen ndjekur me vëmendje për kontrollin e Senatit. Në orën 01:30 do të jetë radha e Ohajos, ku zhvillohet një nga përballjet më të rëndësishme, Virxhinias Perëndimore dhe Karolinës së Veriut.
Mes orës 02:00 dhe 03:00, nata zgjedhore do të hyjë në fazën e saj më intensive, me mbylljen e qendrave të votimit në shtete kyçe si Miçigani, Meini, Kansasi dhe Ajova, si edhe në Nju Jork, Uiskonsin, Ilinois dhe Minesota. Një orë më vonë do të fillojnë të mbërrijnë të dhënat nga Arizona, Montana dhe Kolorado. Pra, do të jetë rreth orës 04:00 kur disa prej garave mund të japin tregues të rëndësishëm.
Nëse tabloja ende nuk do të jetë e qartë apo domethënëse, do të duhet të pritet deri në orën 06:00, kur mbyllen qendrat e votimit në bregun perëndimor, në shtete si Kalifornia.
Etapa e fundit do të jetë në orën 07:00, me mbylljen e qendrave të votimit në Alaskë, një shtet që mund të rezultojë vendimtar për Senatin, nëse gara nuk do të jetë përcaktuar tashmë diku tjetër.
.jpeg)
Moti i keq po krijon probleme në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA. Në Florida, për shkak të rrezikut nga përmbytjet, autoritetet njoftuan zhvendosjen urgjente të 18 qendrave të votimit në shtatë qarqe, vetëm 45 minuta përpara hapjes së tyre. Probleme janë regjistruar edhe në Arizona, ku disa qendra votimi u mbyllën përkohësisht, ndërsa në Utah, votuesit e qarkut San Juan janë lejuar të kërkojnë dhe dorëzojnë fletët e votimit në mënyrë elektronike. Në Kolorado është zhvendosur një qendër votimi, ndërsa reshjet po prekin edhe Iowa, Kansas dhe Teksasin. Gjatë ditës priten stuhi edhe në shtete të tjera, me rrezik për erëra të forta dhe tornado të shkurtra në disa zona.
.jpeg)
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar demokratët për mashtrim elektoral në Alaskë, pasi u zbulua se bashkëpunëtorë të kandidates demokrate për Senatin, Mary Peltola, kishin rekrutuar një kandidat me të njëjtin emër si senatori republikan Dan Sullivan. “Ajo që ndodhi në Alaskë është turp. Është mashtrim elektoral”, deklaroi Trump për Fox News, duke shtuar: “Nëse republikanët votojnë, do të fitojmë me një diferencë dërrmuese”. Sipas New York Times, bashkëpunëtorët e Peltolës kishin rekrutuar Dan J. Sullivan Jr., një mësues në pension, për të krijuar konfuzion mes votuesve, ndërsa kandidatja demokrate ishte në dijeni. Megjithëse kjo praktikë nuk është e paligjshme, Trump ka kërkuar heqjen e Peltolës dhe kandidatit tjetër nga fletët e votimit dhe ndjekjen e tyre ligjore. Guvernatori republikan i Alaskës, Mike Dunleavy, ka urdhëruar nisjen e një hetimi.
Probleme teknike me skanerët e fletëve të votimit kanë shkaktuar vonesa në qendrat e votimit në qarkun Westchester të Nju Jorkut, ku po zhvillohet një garë e ngushtë mes republikanit Mike Lawler dhe demokrates Cait Conley për Dhomën e Përfaqësuesve.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, njoftoi se autoritetet po punojnë për zgjidhjen e problemit, duke siguruar qytetarët se votat e tyre do të numërohen.
“Votuesit mund të vazhdojnë të plotësojnë dhe dorëzojnë fletët e votimit në mënyrë të sigurt. Votat tuaja do të numërohen”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, të dy kandidatët u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në radhë dhe të mos largohen pa votuar.
-
Demonokraci
Përgjigju -
Sa mire do besh te shkosh atje mbase e gjen veten si Epshtain. Ti vetem per ata punon jo per Amerikanet.
Përgjigju -
Jane lodhur prej kohesh. Shiko sondazhet dhe kollodokun qe do marresh sot ...
Përgjigju








Komente
Komento