ASH kërkon mbrojtjen e depozituesve: Kursimet e qytetarëve nuk duhet të rrezikohen

Zhvillimet e fundit rreth Alta Bankës në Manastir kanë nxitur reagimin e Aleancës për Shqiptarët. Partia kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur depozituesit dhe për t’u dhënë zgjidhje qytetarëve që kanë nevojë urgjente të përdorin paratë e tyre.

Sipas ASH-së, Banka Popullore duhet të bëjë të qartë mënyrën se si u miratua marrja e bankës, kontrollet që janë kryer dhe afatin kur parashikohet heqja e kufizimeve.

Të lidhura

None found

Partia e cilëson të papranueshëm kufizimin që i lejon një pensionisti apo një familjeje të tërheqë vetëm 10.000 denarë në javë, ndërkohë që këto mjete mund të nevojiten për mjekim ose për nevoja të tjera urgjente. Ajo thekson se qytetarët po përballen sërish me shqetësim për sigurinë e kursimeve të tyre.

Për Aleancën për Shqiptarët, kjo situatë sjell ndër mend përvoja të hidhura të së kaluarës. Skandali i kursimores TAT në vitin 1997 dhe falimentimi i Eurostandard Bankës në vitin 2020, sipas partisë, mbeten të paharruara për qytetarët, pasi në të dyja rastet pasojat ranë mbi njerëzit që kishin punuar dhe kishin kursyer për vite me radhë.

ASH vëren se rasti i Alta Bankës nuk është i njëjtë me ato të mëparshmet. Megjithatë, ajo nënvizon se përvojat me TAT-in dhe Eurostandard Bankën duhet të kenë shërbyer si mësim që qytetarët të mos mbajnë barrën e vendimeve të gabuara financiare.


Shtuar më 3.11.2026 14:37