Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka njoftuar shtyrjen e Panairit të Librit, për shkak të situatës me protestat studentore në vend.
“Grupi organizator i Panairit, pas këshillimeve me shumë botues, pedagogë, mësues dhe lexues, vlerëson se organizimi i tij në datat e parashikuara (11-15 nëntor 2026), për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të Panairit të Librit”, thuhet në njoftim.
Më tej sqarohet edhe se datat do njoftoheshin më vonë.
“Ju njoftojmë se Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti. Datat e sakta do t’jua bëjmë të ditura shumë shpejt”, shtohet në njoftim.










