Aktualitet

E trishtë! Ndahet nga jeta në moshën 60-vjeçare avokati i njohur Saimir Vishaj

Një lajm i trishtë vjen mesditën e kësaj të marte. Avokati i njohur Saimir Vishaj ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare, pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve të rënda të marra pas një rrëzimi në banesën e tij.

Vishaj ndodhej i shtruar në Spitalin e Traumës, ku po merrte trajtim mjekësor pas aksidentit në banesë.

Gjendja e tij shëndetësore ishte paraqitur tepër e rënduar që prej ditës së djeshme, kur mjekët u detyruan ta intubonin për shkak të komplikacioneve. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të bluzave të bardha për ta mbajtur në jetë, avokati nuk ka mundur të mbijetojë.

Vetëm pak muaj më parë, avokati kishte bërë të ditur se kishte kaluar një sëmundje të rëndë, e cila, siç kishte treguar vetë, për pak i kishte marrë jetën.

Saimir Vishaj ishte një emër i njohur i avokatisë shqiptare, me një karrierë që nisi në vitin 1998. Prej vitit 2009, ai drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.

Gjatë karrierës së tij ka mbajtur edhe disa funksione të tjera, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i Komitetit të Disiplinës dhe i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi. Në gusht të vitit 2025, Vishaj kishte rrëfyer publikisht një tjetër betejë të vështirë për jetën. Ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë, për shkak të së cilës kishte qëndruar në koma dhe i intubuar. Pas trajtimit mjekësor në Itali, kishte arritur të rikuperohej.