Aktualitet

Shtyhet Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026”, organizatorët: Do të zhvillohet në dhjetor, shkak situata me protestat në kryeqytet

Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026”, i parashikuar të mbahej në datat 11-15 nëntor, është shtyrë për në muajin dhjetor. Lajmi është bërë i ditur nga grupi organizator, i cili argumenton se situata e tensionuar në Tiranë nuk garanton pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve.

Në një njoftim drejtuar botuesve, ekspozuesve dhe lexuesve, organizatorët bëjnë me dije se vendimi është marrë pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues.  Sipas tyre, shqetësim i veçantë është pjesëmarrja e të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të këtij aktiviteti kulturor.

Panairi do të zhvillohet brenda muajit dhjetor, ndërsa datat e reja do të bëhen publike në ditët në vijim.

Njoftimi i organizatorëve:

Njoftim i rëndësishëm
Të dashur kolegë botues dhe ekspozues të Panairit të 29 të Librit “Tirana 2026”,
Të nderuar lexues,
Grupi organizator i Panairit, pas këshillimeve me shumë botues, pedagogë, mësues dhe lexues, vlerëson se organizimi i tij në datat e parashikuara (11-15 nëntor 2026), për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të Panairit të Librit.
Ju njoftojmë se Panairi i 29 i Librit “Tirana 2026” do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti.
Datat e sakta do t’jua bëjmë të ditura shumë shpejt.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe durimin, ju urojmë punë të mbarë!