Pas 15 vitesh, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngre aktakuzë për të dyshuarin për vrasjen e Diana Kastratit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pasi ajo u vra me armë zjarri në Prishtinë.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila bëri të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë, më 22 tetor 2026.
Përveç veprës penale të vrasjes, A.J. akuzohet edhe për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka ndryshuar në këtë rast pas një dekade e gjysmë dhe çfarë e ka mundësuar ngritjen e aktakuzës pikërisht tani.
Sipas raportimeve të mëhershme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.
Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë për arsyet e vonesës së aktakuzës, zhvillimet eventuale në hetime dhe vendndodhjen aktuale të të akuzuarit, por, deri në publikimin e këtij lajmi, nuk mori përgjigje.
Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk konfirmoi nëse e ka pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhet procedura gjyqësore.
Rasti i Diana Kastratit është kthyer në një shembull të dështimit institucional në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.
Diana u vra vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj – një mosveprim që Gjykata Kushtetuese më vonë e konstatoi si shkelje të së drejtës për jetë.
Vrasja dhe kërkesa për mbrojtje që mbeti pa përgjigje
Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë. Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë, ndërsa i dyshuar për vrasjen ishte ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte një vajzë.
Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore me A.J., për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2013.
Pas paraqitjes së padisë, ajo ishte zhvendosur bashkë me vajzën te prindërit e saj.
Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve të pretenduara ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente.
Sipas ligjit në fuqi, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve.
Por, kërkesa mbeti pa përgjigje.
Vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.
Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore, të nisur nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.
Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të së drejtës për jetë
Në prill të vitit 2012, prindërit e Dianës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale në Prishtinë kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre.
Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë.
Në aktgjykimin e saj, ajo konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës për mbrojtje emergjente.
Sipas Kushtetueses, ky mosveprim përbënte shkelje të së drejtës për jetë, të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata konstatoi gjithashtu shkelje të së drejtës për mjete juridike, të garantuar me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në aktgjykim përmendet edhe një masë disiplinore ndaj gjyqtarit që kishte trajtuar kërkesën e Dianës.
Nga konstatimi i shkeljes te dëmshpërblimi
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prindërit e Dianës vazhduan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga shteti.
Në nëntor të vitit 2013, Gëzim dhe Makfire Kastrati ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre dhe mosveprimi i autoriteteve për ta mbrojtur.
Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve të Dianës 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore.
Megjithatë, pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën e dëmshpërblimit në 30 mijë euro në shkurt të vitit 2023.
Sipas vendimit të Apelit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës u detyruan ta paguanin këtë shumë në mënyrë solidare.
Pse i dyshuari nuk është sjellë para drejtësisë?
Për vite me radhë, pamundësia e ekstradimit të të dyshuarit nga Spanja kishte qenë një nga pengesat kryesore për procedimin e rastit të vrasjes së Diana Kastratit.
Në maj të vitit 2022, organizata QIKA raportoi se Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kishin konfirmuar se Spanja kishte refuzuar ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë.
Sipas QIKA-s, Prokuroria kishte pezulluar hetimet për këtë rast.
Spanja është një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ngritja e aktakuzës tani shënon një zhvillim të ri në rastin që ka mbetur pa epilog penal për 15 vjet.
Ajo, megjithatë, nuk nënkupton shpalljen fajtor të të akuzuarit, i cili prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Aktakuza në kohën e një tjetër rasti që tronditi Kosovën
Aktakuza për vrasjen e Diana Kastratit vjen në kohën kur Kosova po përballet me reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Pejë, për të cilën dyshohet ish-kunati i saj.
Edhe Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Gjetjet preliminare të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) nxorën në pah një varg lëshimesh në trajtimin e rastit.
Sipas IPK-së, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar më 7 shtator, ndërsa një urdhër tjetër, i 16 tetorit, ishte zbatuar me gjashtë ditë vonesë.
Po ashtu, drejtuesit policorë në Pejë nuk kishin trajtuar një kërkesë të hetuesit për rivlerësimin e rrezikut dhe shtimin e masave të sigurisë për Zekajn.
Pas vrasjes, një varg zyrtarësh policorë dhe prokurorësh u pezulluan nga detyra, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje më 30 tetor, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale.
Kuvendi i Kosovës ka themeluar edhe një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.
Megjithëse rrethanat e dy vrasjeve janë të ndryshme, të dyja rastet kanë ngritur pyetje për efektivitetin e institucioneve në mbrojtjen e grave që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë.
Eurojust zbulon skemën e mashtrimit me Call Center në Kosovë, shtatë persona të arrestuar
Presidentja Pula takim me përfaqësues të akademive të shkencave dhe arteve të Kosovës dhe Shqipërisë
4.27 miliardë euro, Qeveria e Kosovës miraton buxhetin e vitit 2027
- 14:58 Vdekja e futbollistit të Tenerifes, a do të burgoset portieri?
- 14:47 Shtëpia e Bardhë: Melania Trump do të organizojë të enjten takimin mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainasë
- 14:45 Izrael, opozita mblidhet për të formuar qeverinë
- 14:35 Reshje shiu dhe mjegull e dendur, vështirësohet qarkullimi i automjeteve në akset malore në Vlorë
- 14:34 Drejtori ekzekutiv i Mistral: Evropa përballet me një ‘kurth të plotë’ pa inteligjencën artificiale në kufijtë e saj
- 14:30 Zgjedhjet në SHBA, kur priten rezultatet e para dhe cilat gara do të jenë vendimtare?