Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Chiari në Itali, ku 21-vjeçari shqiptar Eduart Xhani dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, brenda banesës së tyre.
Krimi ka ndodhur gjatë natës në banesën e familjes, në rrugën Tagliata. Pas ngjarjes, i riu është larguar nga vendi, por më vonë është vetëdorëzuar pranë Karabinierëve në Kremona.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë tragjedi familjare.
Kryetari i bashkisë së Chiarit, Gabriele Zotti, ka shprehur tronditjen e qytetit, duke e përshkruar familjen si punëtore dhe të integruar në komunitet.
Sipas tij, Meleqe Lusha ishte ndarë nga bashkëshorti kur djali ishte ende i vogël dhe ishte kujdesur e vetme për rritjen e tij. Ajo punonte në Spitalin Civil të Breshias, ndërsa familja kishte edhe mbështetjen e katër vëllezërve të saj, të cilët punonin në sektorin e ndërtimit dhe njiheshin në zonë.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku ka deklaruar se 21-vjeçari ishte rritur dhe shkolluar në Chiari dhe se, deri më tani, nuk ishte shënuar për probleme apo sjellje shqetësuese.
Kjo e bën edhe më të vështirë për komunitetin të kuptojë rrethanat që çuan në aktin e rëndë, ndërsa pritet që hetimet të hedhin dritë mbi motivet e krimit dhe atë që ka ndodhur brenda banesës gjatë natës.