Një valë sulmesh kibernetike ka vënë në shënjestër sistemet e ftohjes së supermarketeve në disa vende europiane, duke ngritur dyshime për një operacion të koordinuar me qëllim destabilizimin e infrastrukturës ushqimore. Mes vendeve të prekura janë Italia, Franca, Belgjika, Suedia, Luksemburgu, Estonia, Holanda dhe Irlanda.
Sipas hetimeve, sulmuesit kanë ndërhyrë në sistemet dixhitale që kontrollojnë frigoriferët dhe ngrirësit industrialë, duke shkaktuar rritjen e temperaturave deri në 50 gradë Celsius brenda pak orësh. Si pasojë, është cenuar ruajtja e produkteve ushqimore dhe në disa raste është dashur asgjësimi i tyre.
Autoritetet italiane po hetojnë mundësinë që sulmet të jenë pjesë e një operacioni të përbashkët, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet është përfshirja e grupeve të hakerave pro-ruse.
Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është mungesa e kërkesave për shpërblim financiar apo e tentativave për shantazh. Kjo ka shtuar dyshimet se objektivi nuk ka qenë përfitimi ekonomik, por krijimi i kaosit dhe dëmtimi i zinxhirit të furnizimit ushqimor në vendet e prekura.
Në Itali, Policia Postare ka nisur hetimet për dy raste të regjistruara në Siçili dhe Emilia-Romagna. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike ka lëshuar një alarm për operatorët e supermarketeve, kompanitë e logjistikës ushqimore dhe bizneset që merren me sistemet industriale të ftohjes, duke kërkuar forcimin e masave të sigurisë.
Sipas ekspertëve, objektivi i sulmeve nuk kanë qenë vetë frigoriferët, por sistemet informatike që mundësojnë kontrollin e tyre në distancë. Dobësitë në mbrojtjen e këtyre sistemeve, përfshirë fjalëkalimet e dobëta dhe mungesën e verifikimit me dy faktorë, mund të kenë lehtësuar ndërhyrjet.
Qeveria italiane ka reaguar duke siguruar qytetarët se deri tani nuk është konstatuar asnjë rast i rrezikut për shëndetin publik si pasojë e këtyre incidenteve. Autoritetet kanë theksuar se rastet e dyshimta po monitorohen dhe se po bashkëpunohet me operatorët e sektorit për të parandaluar sulme të tjera.
Sipas vlerësimeve paraprake, në Itali ndikimi i sulmeve mbetet i kufizuar, pasi janë prekur vetëm disa pika tregtare nga mijëra që operojnë në vend.
Hetimet vijojnë për të zbardhur autorët dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një fushatë të organizuar sulmesh kibernetike kundër infrastrukturës kritike europiane.


