Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka arritur një marrëveshje me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për ndërprerjen e ndihmës financiare prej katër miliardë dollarësh në vit për Izraelin, në fund të vitit 2026.
Në një intervistë për emisionin “Fox & Friends” të Fox News, Trump tha se Izraeli nuk ka më nevojë për këtë mbështetje financiare nga Shtetet e Bashkuara.
“Sa i përket pagesave për Izraelin, unë dhe Bibi Netanyahu kemi arritur një marrëveshje që ne i japim Izraelit katër miliardë dollarë në vit dhe para disa muajsh kemi rënë dakord që ta ndalim këtë. Tashmë kemi rënë dakord që deri në fund të këtij viti të mos i paguajmë më Izraelit. Megjithatë, do ta ndihmojmë Izraelin nëse ka nevojë”, deklaroi Trump.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se cilës ndihmë financiare i është referuar presidenti amerikan dhe se si do të realizohet ndërprerja e saj në fund të këtij viti.
Kjo pasi memorandumi aktual i mirëkuptimit mes dy vendeve, i cili parasheh 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Izraelin çdo vit, është në fuqi deri në vitin 2028. Ndërkohë, bisedimet për mënyrën se si do të vazhdojë mbështetja amerikane për Izraelin pas kësaj date janë duke u zhvilluar.
Shtëpia e Bardhë dhe zyra e kryeministrit izraelit nuk iu përgjigjën kërkesave të Reutersit për koment lidhur me deklaratën e Trumpit.
Ndërkohë, mbështetja publike në SHBA për Izraelin ka rënë që nga fillimi i luftës në Gaza, në vitin 2023, veçanërisht në mesin e demokratëve.
Një sondazh i Universitetit Quinnipiac, i realizuar në qershor, tregoi se 48 për qind e votuesve amerikanë dhe 66 për qind e demokratëve konsiderojnë se SHBA-ja po e mbështet tepër Izraelin. Këto shifra paraqesin rritje të dukshme krahasuar me vitin 2017, kur këtë mendim e kishin përkatësisht 16 dhe 20 për qind e të anketuarve.