Operacion i Policisë në bashkëpunim me AKI-në, arrestohet një i dyshuar për kontrabandim me migrantë
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në kontrabandimin e migrantëve.
Operacioni është realizuar më 3 nëntor 2026 nga Sektori i Hetimeve i Departamentit për Kufi të Policisë së Kosovës, në kuadër të hetimeve lidhur me aktivitetet e një rrjeti të organizuar kriminal ndërkombëtar, i cili dyshohet se vepronte në disa shtete të Ballkanit dhe të Bashkimit Evropian.
Sipas Policisë, i dyshuari, shtetas i Kosovës, dyshohet se kishte rol në rekrutimin e shoferëve, të cilëve u siguronte automjete, mjete financiare dhe harta me itineraret e lëvizjes për transportimin e migrantëve ilegalë.
Shoferët, sipas hetimeve, ngarkoheshin me bartjen e migrantëve nga kufiri ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, fillimisht drejt Selanikut, për të vazhduar më pas tranzitin përmes shteteve të tjera drejt vendeve të Evropës.
Në kuadër të operacionit, njësitë kompetente policore kanë bastisur edhe banesën e të dyshuarit në Prishtinë, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 1 mijë e 760 euro para të gatshme, si dhe fletë-transaksione të ndryshme financiare.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejshme ligjore./Telegrafi/





























