
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi një takim me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ku në qendër të diskutimeve ishte rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Përmes një reagimi publik, diplomatja bëri të ditur se biseda u përqendrua te përgjegjësitë e Kuvendit në procesin e integrimit, veçanërisht në miratimin e reformave të nevojshme, përafrimin e legjislacionit vendas me standardet europiane dhe forcimin e llogaridhënies së qeverisë.
Moreira de Sousa nënvizoi se avancimi i Shqipërisë drejt BE-së kërkon përfshirjen dhe angazhimin e të gjitha forcave politike. Ajo theksoi gjithashtu se Kuvendi duhet të shërbejë si një institucion ku dialogu politik dhe bashkëpunimi të kenë një rol thelbësor.