Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, është takuar këtë të martë me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në fokus të diskutimit ishte rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe roli i Kuvendit në përmbushjen e reformave të nevojshme.
Përmes një reagimi, diplomatja bëri të ditur se takimi u zhvillua për të diskutuar ecurinë e procesit të integrimit dhe përgjegjësitë e Parlamentit në këtë drejtim.
“U takova sot me z. Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së, për të diskutuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, shkroi ambasadorja.
Ajo e cilësoi diskutimin të frytshëm, duke theksuar rëndësinë e rolit të Kuvendit në miratimin e reformave, përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe garantimin e llogaridhënies së ekzekutivit.
“Patëm një diskutim të frytshëm mbi rolin qendror të Kuvendit në miratimin e reformave, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe sigurimin e llogaridhënies së ekzekutivit”, u shpreh Moreira de Sousa.
Në përfundim, ambasadorja nënvizoi se përparimi drejt anëtarësimit kërkon angazhimin e të gjitha palëve politike dhe që Kuvendi të funksionojë si një hapësirë e mirëfilltë dialogu.
“Kjo kërkon angazhimin e të gjitha palëve dhe që Kuvendi të jetë një hapësirë e mirëfilltë dialogu”, theksoi diplomatja.
