Sistemi i ri, do mundësojë kryerjen e pagesave në lekë dhe euro 24 orë në ditë, brenda 10 sekondave

Pagesat në lekë dhe në euro do të realizohen brenda një kohe maksimale prej 10 sekondash nga pranimi i tyre nga ofruesi i shërbimeve të pagesave të dërguesit në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë gjithë vitit.
Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit miratoi paketën rregullative për funksionimin e sistemit të pagesave të menjëhershme IPSA dhe të sistemeve të pagesave AIPS, AIPS EURO dhe AECH.
Kjo paketë përfshin miratimin e rregulloreve:
“Për funksionimin e Sistemit të pagesave të menjëhershme – IPSA”;
“Për funksionimin e Sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS”;
“Për funksionimin e Sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”;
“Për funksionimin e Sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH”.
Miratimi i kësaj pakete krijon kuadrin rregullator për funksionimin e Sistemit të pagesave të menjëhershme IPSA dhe përshtat kuadrin e sistemeve ekzistuese me zhvillimet e reja në tregun e pagesave.
Sistemi IPSA do të mundësojë kryerjen e pagesave në lekë dhe euro në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë gjithë vitit. Pagesat do të realizohen brenda një kohe maksimale prej 10 sekondash nga pranimi i tyre nga ofruesi i shërbimeve të pagesave të dërguesit.
Zbatimi i këtij sistemi është pjesë e një projekti të përbashkët të pesë bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Bankën e Shqipërisë, me infrastrukturë teknologjike dhe mbështetje operacionale të ofruara nga Banka e Italisë, sipas modelit të Sistemit evropian të pagesave të menjëhershme TIPS.
Rregulloret përcaktojnë rregullat e funksionimit të sistemeve, si dhe të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve. Ato mundësojnë ndërlidhjen e sistemit të ri me infrastrukturat ekzistuese dhe pasqyrojnë ndryshimet ligjore që zgjerojnë gamën e pjesëmarrësve në sistemet e pagesave të operuara nga Banka e Shqipërisë, në funksion të përafrimit me kuadrin e Bashkimit Evropian.
Në tërësi, këto zhvillime kontribuojnë në modernizimin e tregut shqiptar të pagesave, nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike, formalizimin e ekonomisë dhe integrimin e mëtejshëm financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Banka e Shqipërisë miratoi dhe rregullorem “Për tarifat e shkëmbimit për transaksionet e pagesave të bazuara në kartë”.
Kjo rregullore synon krijimin e një tregu më efikas, konkurrues dhe transparent të pagesave me kartë, në përputhje me objektivat e integrimit evropian dhe zhvillimin e tregut shqiptar të pagesave. Rregullorja adreson tarifat e shkëmbimit (interchange), të cilat përbëjnë një komponent të rëndësishëm të kostos së pranimit të pagesave me kartë nga tregtarët. Nëpërmjet vendosjes së kufijve rregullatorë për këto tarifa, ajo synon të ulë kostot e pranimit të kartave dhe të krijojë kushte më të favorshme për zgjerimin e përdorimit të tyre.
Ulja e këtyre kostove pritet të nxisë më shumë tregtarë të pranojnë pagesa me kartë, duke zgjeruar mundësitë e konsumatorëve për të përdorur pagesat elektronike, si një alternativë më efikase dhe më të sigurt ndaj parasë fizike. Njëkohësisht, rregullorja synon forcimin e konkurrencës në tregun e pagesave dhe rritjen e transparencës së tarifave për përdorimin e instrumenteve të pagesës.
Miratimi i kësaj rregulloreje përmbush një nga detyrimet institucionale të Bankës së Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe kontribuon në modernizimin e tregut shqiptar të pagesave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









