Pas shtatë sulmeve ndaj anijeve të transportit të mallrave pranë vendeve anëtare të NATO-s, Rumanisë dhe Bullgarisë, muajin e kaluar, aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA-ja njoftoi se do të dislokonte avionë patrullimi detar, radarë dhe dronë për të përforcuar krahun e saj lindor në Detin e Zi, raporton “Reuters”.
Tri ditë më vonë, më 23 tetor, një tjetër anije u godit pak jashtë ujërave territoriale rumune. Ndërsa javën e kaluar, një anije greke transportuese kontejnerësh u fundos nga dronë detarë në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë.
Sulmet e pandërprera tregojnë se si lufta detare në përshkallëzim mes Rusisë dhe Ukrainës po shndërrohet në një sfidë madhore për NATO-n në Detin e Zi, duke i lënë të ekspozuara vendet anëtare bregdetare, si Rumania dhe Bullgaria.
Analistët ushtarakë thanë se kishin pak dyshime se bëhej fjalë për sulme ruse. Sipas kompanisë së sigurisë detare Ambrey, një dron detar i shfaqur në pamjet filmike të sulmit të fundit i ngjante një modeli rus.
Rusia mohon se po shënjestron me dronë vendet fqinje të Ukrainës dhe pretendon se janë qeveritë evropiane ato që po e përshkallëzojnë luftën në Ukrainë, duke ofruar ndihmë ushtarake.











