Katër kërcënime për vendosjen e bombave në avionë pasagjerësh janë regjistruar të martën në disa vende të Evropës, duke aktivizuar protokollet e sigurisë dhe detyruar autoritetet të ndërhyjnë. Tre prej incidenteve përfshinë ulje emergjente ose ndryshime në procedurat e uljes, ndërsa njëri përfundoi me konstatimin e një alarmi të rremë.
Ngjarjet u regjistruan në Poloni, Spanjë dhe Bullgari, ndërsa avionët ishin nisur nga Londra, Kopenhaga, Mançesteri dhe Izraeli. Sipas BBC-së, dy nga kërcënimet kishin në shënjestër fluturime drejt Varshavës.
Rasti i parë përfshiu një avion me 181 persona në bord, i cili ishte nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës drejt aeroportit “Shopen” në Varshavë. Pas marrjes së kërcënimit, avioni u ul në aeroportin Varshavë-Modlin, ku iu nënshtrua kontrolleve nga specialistët.
Një tjetër avion, i nisur nga Kopenhaga me destinacion Varshavën, u përball gjithashtu me një kërcënim për bombë. Megjithatë, sipas mediave daneze, fluturimi përfundoi normalisht në aeroportin e planifikuar.
Në Spanjë, një avion i kompanisë Ryanair, që udhëtonte nga Mançesteri, u detyrua të ulej në aeroportin e Murcias pas një kërcënimi të ngjashëm. Francisco Lucas, përfaqësues i qeverisë spanjolle në rajonin e Murcias, bëri të ditur se në bord ndodheshin 121 persona, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit.
Incidenti i katërt u regjistrua në Bullgari. Një avion që po kryente një fluturim nga Izraeli u ul në Sofje pas një kërcënimi për bombë të dërguar përmes postës elektronike. Sipas mediave lokale, pas verifikimeve kërcënimi rezultoi alarm i rremë.
Seria e incidenteve vjen vetëm një ditë pas një tjetër rasti të ngjashëm, kur një avion i kompanisë Wizz Air, i nisur nga aeroporti Luton i Londrës drejt Budapestit, u detyrua të ndryshonte procedurën e fluturimit për shkak të një kërcënimi për bombë. Avioni u shoqërua drejt kryeqytetit hungarez nga një avion luftarak i Hungarisë.


