Dy shtetas shqiptarë, të moshës 21 dhe 25 vjeç, janë arrestuar në qytetin e Brixenit, në rajonin e Tirolit Jugor në Itali, pasi kishin qenë në arrati që nga muaji shtator.

Ata dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike dhe vjedhje në hotele luksoze në këtë rajon.


Sipas mediumit gjermanofolës UnserTirol24, arrestimi i dy të rinjve vjen pas disa muajsh hetimesh dhe kërkimesh nga autoritetet italiane.

Më 9 shtator 2026, një gjyqtar hetues në Gjykatën e Bolzanos kishte lëshuar urdhërarrest për disa persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e grupit kriminal, por dy shqiptarët kishin arritur t'u shmangeshin autoriteteve dhe të fshiheshin.

Pas hetimeve intensive dhe kontrolleve të vazhdueshme në terren, policia arriti t'i lokalizonte dhe të ekzekutonte masat e sigurisë ndaj tyre, transmeton Telegrafi.

Sipas vendimit të autoriteteve gjyqësore, të dy të rinjtë janë vendosur në arrest shtëpiak dhe do të mbajnë edhe byzylyk elektronik, përmes të cilit do të monitorohet vendndodhja e tyre.

Hetimet lidhen me një grup të dyshuar kriminal që dyshohet se merrej me shpërndarjen e drogës dhe vjedhjen e sendeve me vlerë në hotele luksoze në rajonin e Tirolit Jugor.

Për të dyshuarit vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Telegrafi/