Katër avionë pasagjerësh në Evropë janë detyruar të kryejnë ulje emergjente ose të devijojnë drejt aeroporteve të tjera pasi janë përballur me kërcënime për bomba. Të gjitha fluturimet janë ulur të sigurta, ndërsa kontrollet nuk kanë zbuluar lëndë shpërthyese.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, autoritetet polake morën njoftime për kërcënime me bombë ndaj dy avionëve që udhëtonin drejt Varshavës. Bëhet fjalë për një fluturim të Scandinavian Airlines (SAS), i nisur nga Kopenhaga dhe një avion të kompanisë polake LOT i cili ishte nisur nga aeroporti Heathrow në Londër.
Avioni i SAS u ul në aeroportin Chopin të Varshavës, ku iu nënshtrua kontrolleve të sigurisë. Gjatë verifikimeve nuk u gjet asnjë pajisje shpërthyese. Për shkak të alarmit, një pistë e aeroportit u mbyll përkohësisht, por operacionet vijuan.
Ndërkohë avioni i LOT, i cili ishte planifikuar të ulej në aeroportin Chopin, u devijua drejt aeroportit tjetër të kryeqytetit polak, Modlin. Pas uljes, pasagjerët u evakuuan dhe avioni Boeing 737 MAX iu nënshtrua kontrolleve të imtësishme. Edhe në këtë rast nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Autoritetet mbyllën përkohësisht aeroportin Modlin, i cili më pas rifilloi normalisht operacionet.
Alarmet nuk u kufizuan vetëm në Poloni. Sipas BBC-së një avion i kompanisë Ryanair i nisur nga Manchester drejt Spanjës kreu një ulje emergjente në Murcia, në jug të vendit, pas një tjetër kërcënimi për bombë.
Francisco Lucas delegat i qeverisë spanjolle në rajon, bëri të ditur përmes një reagimi në rrjetin social X se në avionin e ulur në Murcia nuk u gjetën lëndë shpërthyese.
Një tjetër avion i nisur nga Izraeli u detyrua të ulej në Sofje të Bullgarisë pas një alarmi të ngjashëm.
Incidentet vijnë pas një tjetër alarmi të regjistruar vetëm një ditë më parë. Një avion i kompanisë Wizz Air, i nisur nga aeroporti London Luton drejt Sofjes, kreu një ulje emergjente në Budapest, pasi gjatë fluturimit ishte marrë një kërcënim për bombë.
Avioni i cili ishte parashikuar të nisej të hënën në orën 08:15, u devijua drejt kryeqytetit hungarez dhe u shoqërua nga një avion luftarak hungarez.
Deri më tani, në asnjë prej këtyre incidenteve nuk është raportuar gjetja e lëndëve shpërthyese, ndërsa autoritetet kanë aktivizuar procedurat e sigurisë dhe kanë kryer kontrolle të hollësishme për të garantuar sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazheve.










