Të paktën 33 persona kanë humbur jetën pasi forcat ruse bombarduan një shkollë që përdorej si pikë shpërndarjeje e ndihmave humanitare në një fshat pranë vijës së frontit, në rajonin juglindor të Zaporizhzhisë, në Ukrainë. Lajmin e bëri të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Rreth 50 persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja pas sulmit në fshatin Komyshuvakha, deklaroi Zelenskyy gjatë një konference për shtyp në Berlin, së bashku me kancelarin gjerman Friedrich Merz, të martën.
“Rusët goditën fillimisht me disa bomba ajrore, pikërisht në momentin kur njerëzit po mbërrinin. Më pas pasoi një sulm i dytë, me më shumë bomba ajrore, këtë herë në strehimoren ku ndodheshin njerëzit. Një sulm i lig dhe terrorist. Rusët nuk mund të mos e dinin se banorët që kishin mbetur në Komyshuvakha mblidheshin çdo javë për të marrë pako me ndihma humanitare”, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Më herët, Zelenskyy kishte bërë të ditur se forcat ruse fillimisht hodhën bomba ajrore mbi shkollën, e cila përdorej si strehimore dhe si pikë shpërndarjeje e ndihmave humanitare çdo të hënë.
Ai theksoi se në shkollë nuk zhvillohej mësim, pasi fshati, i cili ndodhet në juglindje të qytetit të Zaporizhzhisë, është shumë pranë vijës së frontit në luftën që vijon prej më shumë se katër vitesh.
Mes viktimave ishin edhe dy pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit dhe katër efektivë policie, bënë të ditur shërbimet e emergjencës. Sipas tyre, Rusia e nisi sulmin me dy goditje ajrore. Dy punonjës të tjerë të ekipeve të shpëtimit u dërguan në spital për të marrë trajtim mjekësor.
Rusia dhe Ukraina mohojnë se kanë shënjestruar qëllimisht civilët gjatë konfliktit.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmi kishte në shënjestër njësitë ushtarake ukrainase në zonat përreth Komyshuvakha-s dhe dy vendbanimeve të tjera në rajonin e Zaporizhzhisë.
Në një deklaratë të publikuar të martën, ministria pretendoi se ishin vrarë deri në 25 ushtarakë ukrainas, ndërsa ishin shkatërruar gjithashtu 15 automjete dhe një stacion i luftës elektronike.
Ndërkohë, në muajin gusht, monitoruesit e Kombeve të Bashkuara raportuan një rritje të ndjeshme të viktimave civile krahasuar me vitin e kaluar. Sipas tyre, në korrik u vranë ose u plagosën më shumë civilë në Ukrainë sesa në çdo muaj tjetër që nga marsi i vitit 2022.








