Bushkolaj: Rama në kuotat më të ulëta, sondazhet e PS e zbresin në 20%! Tirana qeveriset nga burgu

18:52, 03/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në SYRI TV, gazetari Elkier Bushkolaj deklaroi se Edi Rama ndodhet në kuotat më të ulëta të mbështetjes, duke iu referuar edhe sondazheve të brendshme të Partisë Socialiste, të cilat, sipas informacioneve që ai disponon, e nxjerrin kryeministrin në nivelin e 20 për qindëve.

Bushkolaj u shpreh se sondazhi i realizuar më 31 maj pasqyronte pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe praninë e të gjithë spektrit opozitar në protestë.

Ai tha se një nga arsyet kryesore të rënies së besimit është situata në Tiranë, ku qyteti po përballet me kaos në drejtimin e Bashkisë, ndërsa vendimmarrja zhvillohet nga qelitë e burgjeve të Durrësit dhe Fierit. 

Bushkolaj përmendi gjithashtu problemet me krimin e organizuar, inceneratorët dhe emërimet në Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se këto janë pjesë e një realiteti që reflektohet në pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisjes së Edi Ramës.

Pjesë nga intervista:

Që ditën e parë të protestës, më 31 maj, pra jo në protestën e fundit, nga një sondazh i thjeshtë që bëra aty dhe nga figurat që ne i njohim përgjatë viteve që kemi në media, kuptova se i gjithë faktori opozitar, pa asnjë lloj dallimi, ishte në shesh. Ishte me parcela, ishte me grupime, por i gjithë faktori ishte në shesh. Kuptohet, barrën kryesore e mban edhe ajo që është forca më e madhe e opozitës, e cila ka 13 ditë që është në shesh, dhe kjo nuk përbën asnjë lloj risie.

Të gjitha ato probleme që ne artikulojmë prej vitesh në këtë studio ishin të pranishme në atë shesh. Të gjitha problemet që artikulojnë përfaqësuesit e të gjitha partive politike, qofshin të majta, të djathta apo të qendrës, mbretërore apo edhe këto shoqatat LGBT, të cilat nuk i kam shumë mirë parasysh, kanë qenë të gjitha në atë shesh dhe ky sondazh është reflektim i sheshit.

Ky sondazh nuk është reflektim i protestës 20-ditore, pra besoj se për këtë protestë 20-ditore Noto do të duhet të bëjë një sondazh tjetër, për të parë se sa është besueshmëria e shqiptarëve, sot që flasim, te reforma në drejtësi dhe veçanërisht te SPAK-u, në mënyrë që të kuptojmë se ku jemi katandisur.
Por ky sondazh është reflektim i realitetit. Madje, edhe nga të dhënat që ne kemi, për shembull, nga Partia Socialiste, nga komunikimet që kemi me njerëz të cilët i njohim dhe me të cilët kemi bashkëpunuar ndër vite në media, mund të themi se, sipas sondazheve të brendshme të Partisë Socialiste, Edi Rama është në kuotat e tij më të ulëta. Më kanë thënë se, të paktën, është në kuotat e 20 përqindëshit, përpara se përplasja me Erion Veliajn të dilte në sipërfaqe në këtë farë feje.

Kjo është praktikë që e ndjek Arbjan Mazniku, i cili ka një ekip të posaçëm për çështjet e sondazheve të brendshme. Kam përshtypjen se ata e kanë lexuar se çfarë po ndodh dhe prandaj kemi edhe këtë brutalitet dhe këtë agresivitet të Edi Ramës, qoftë ndaj Erion Veliajt, qoftë ndaj bashkëpunëtorëve të tjerë.

Janë të shumta arsyet e këtij sondazhi, por arsyeja kryesore është ajo që po ndodh me Tiranën. Cili qytetar normal, që jeton në këtë qytet, pranon që qyteti më i madh në trojet shqiptare të qeveriset nga qelitë e burgut të Durrësit apo nga qelitë e burgut të Fierit? Cili qytetar e pranon këtë kur sheh mishmashin që bëhet me emrat, me të emëruarit dhe me nënkryetarët e bashkive?

Ky është një absurditet, përtej problemeve që ky qytet ka me krimin e organizuar dhe me inceneratorët. Të gjitha këto janë të ndërlidhura dhe përbëjnë elemente të këtij sondazhi që ne po diskutojmë sot në studio, pra të gjithë faktorët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco