Përballë shtimit të përplasjeve mes policisë dhe protestuesve, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka njoftuar masa të reja ligjore në fushën e sigurisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij.
Nga Faustine Vincent, LE MONDE
Lëvizja e protestës kundër qeverisë nuk po zbehet në Shqipëri, pavarësisht rritjes së represionit policor. Të hënën, më 2 nëntor, studentët dolën sërish në rrugët e Tiranës, kryeqytetit, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, për të kërkuar kushte më të mira jetese dhe për të protestuar kundër korrupsionit. Dy javë më parë, pedagogët e universiteteve iu bashkuan lëvizjes në shenjë solidariteti, duke mbështetur bojkotin e mësimit.
Ky vend i Ballkanit, me 2,3 milionë banorë, është tronditur që nga maji nga protesta të përditshme kundër qeverisë. Deri më tani paqësore, ato morën një karakter të dhunshëm që prej 13 tetorit, kur mijëra studentë iu bashkuan lëvizjes. Protestuesit dënojnë reagimin “joproporcional” të forcave të rendit – të cilat përdorin topa uji, plumba gome dhe gaz lotsjellës – dhe përshkruajnë një klimë “terrori”.
Përballë shtimit të dëmtimeve të ndërtesave publike dhe private, si dhe përplasjeve mes policisë dhe protestuesve, kreu i qeverisë njoftoi masa të reja ligjore për “t’i dhënë fund dhunës dhe anarkisë urbane”. Gjoba të rënda, që mund të arrijnë deri në 500 000 lekë (5 500 €), do t’u vendosen atyre që kryejnë akte dhune ose plaçkitjeje në hapësirat publike, ose që “fshehin [identitetin e tyre]”, por edhe “çdo personi që zgjedh të qëndrojë në një turmë”, duke ngritur shqetësimin se mund të ndëshkohen edhe protestues që nuk kanë kryer vetë asnjë akt dhune. Ndërsa paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është 930 euro, Edi Rama tha se frymëzohet nga “modeli francez: ai që shkatërron, paguan”.












