
Një efektiv policie në Bazën Ajrore të Kuçovës është plagosur me armën e shërbimit.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme ndërsa dinamika e ngjarjes nuk dihet ende. Efektivi me inicialer E.D. ka marrë një plagë në shpatull dhe është dërguar në spitalin e Traumës.
Njoftimi
“Ministria e Mbrojtjes informon se, më datë 3 nëntor 2026, rreth orës 16:46, gjatë kryerjes së shërbimit në Bazën Ajrore të Kuçovës, efektivi E.D është plagosur në shpatull me armën e shërbimit.
Menjëherë pas ngjarjes, efektivit iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Beratit.
Sipas vlerësimit të mjekëve, parametrat jetësorë janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, për të vijuar trajtimin mjekësor të specializuar.
Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po vijon procedurat për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Ministria e Mbrojtjes po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit, të cilit i uron shërim të shpejtë.”