Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis, ka kritikuar presidentin Donald Trump për përfshirjen e SHBA-së në luftën me Iranin, duke paralajmëruar se konflikti dhe rritja e çmimeve të karburanteve po dëmtojnë mbështetjen politike për republikanët.
Në një intervistë për emisionin radiofonik Straight Shooter with Stephen A., të komentatorit politik Stephen A. Smith, DeSantis kujtoi se Trump erdhi në pushtet me premtimin se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshiheshin në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme. Sipas guvernatorit, zhvillimet e fundit janë në kundërshtim me këtë zotim.
Ai tha se një pjesë e votuesve republikanë janë distancuar nga partia, pasi nuk dëshironin që SHBA-ja të përfshihej në konflikte të tjera në këtë rajon. DeSantis vuri në dukje gjithashtu pasojat ekonomike të luftës, veçanërisht rritjen e çmimeve të benzinës, që sipas tij po rëndon familjet amerikane dhe shtresat e punës.
“Nëse nuk mund t’ua pranosh këtë votuesve, atëherë po i mashtron ata dhe ata nuk do të të dëgjojnë më për çështje të tjera”, deklaroi DeSantis. Ai përdori termin gaslighting për të kritikuar atë që e konsideron si përpjekje të republikanëve për të mohuar realitetin ekonomik me të cilin po përballen qytetarët.
Guvernatori paralajmëroi se një luftë që do të vazhdonte gjatë pjesës së mbetur të mandatit të Trump do të kishte pasoja për zbatimin e agjendës së presidentit dhe për perspektivën politike të republikanëve.
Gjatë intervistës, DeSantis foli edhe për planet e tij pas përfundimit të mandatit si guvernator, në janar. I pyetur nëse synon të kandidojë sërish për president në vitin 2028, ai nuk e përjashtoi një mundësi të tillë, por la të hapur edhe një garë në një moment të mëvonshëm.
“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ndoshta një ditë. Nuk e di për vitin 2028, ndoshta më vonë”, u shpreh ai.
DeSantis humbi garën për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, pasi Trump siguroi kandidaturën e partisë. Marrëdhënia politike mes dy republikanëve ka qenë e tensionuar që prej asaj gare.
Ndërkohë, për zgjedhjet e ardhshme për guvernator të Floridës, DeSantis ka mbështetur kandidatin republikan Byron Donalds, i cili përballet me demokratin David Jolly.
#RonDeSantis #DonaldTrump #Irani #SHBA #ÇmimetEKarburanteve


