Një aksident automobilistik është shënuar në autostradën Rrogozhinë Lushnje në afërsi të fshatit Gramsh.
Dy mjete janë përfshirë në këtë aksident ku mjeti tip “Audi” ka përplasur nga pas një mjet tip “Skoda”.
Nga përplasja është dëmtuar drejtuesi i mjetit tip “Audi” i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Lushnjës për të marrë ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i mjetit tjetër ka pasur vetëm disa lëndime të lehta.
Policia në vendngjarje po dokumenton rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se mjeti tip “Audi” ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë duke përplasur mjetin përpara tij.
Makina tip “Skoda” është përplasur me barrierën trafikndarëse të betonit duke dalë jashtë rrugës, ndërsa “Audi” ka përfunduar në rrënojat e betonit të një muri rrethues në anë të autostradës.










