Çfarë ndodh në SHBA nëse demokratët fitojnë kontrollin e Kongresit?

3 Nëntor 2026 | 21:35

Nëse demokratët fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, të Senatit ose të të dyjave, kjo do të ndryshonte ndjeshëm balancën e pushtetit në Uashington gjatë pjesës së mbetur të mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.

Një nga fushat ku kjo do të ndihej më shumë është mbikëqyrja e administratës. Demokratët do të kishin në dispozicion mjete të reja për të hetuar qeverinë e Trump dhe veprimtarinë e saj.

Një tjetër fushë është kontrolli mbi shpenzimet. Ata do të kishin rol në vendimmarrjen për mënyrën se si përdoren paratë e taksapaguesve, si dhe mundësinë për të kërkuar anulimin e disa prej ndryshimeve të ndërmarra nga Trump.

Demokratët mund të përdorin gjithashtu Kongresin për të miratuar projektligje që pasqyrojnë prioritetet e tyre në çështje si lufta me Iranin, tarifat, imigracioni dhe zgjedhjet.

Përfaqësuesi Hakeem Jeffries, i cili do të merrte drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve nëse demokratët fitojnë shumicën, ka përmendur tre objektiva të menjëhershme:

Përfundimi i luftës me Iranin, me synimin për të ulur çmimet e energjisë.

Anulimi i shkurtimeve në Medicaid, të parashikuara në projektligjin republikan për uljen e taksave dhe shpenzimeve, si dhe rinovimi i subvencioneve të shtuara për primet e sigurimit shëndetësor përmes Obamacare.

Heqja e tarifave të vendosura nga Trump, me synimin për të ulur çmimet e mallrave.

Përplasjet me presidentin dhe kufizimet

Megjithatë, demokratët do të përballeshin me kufizime në zbatimin e programit të tyre. Ruajtja e unitetit brenda grupit parlamentar do të kërkonte përpjekje, ndërsa Trump mund të mos ishte i gatshëm të bashkëpunonte me një Kongres të kontrolluar nga demokratët.

Përplasjet për financimin e qeverisë mund të bëhen të shpeshta, duke rritur rrezikun e një mbylljeje të institucioneve federale.

“Ajo që ndodh është se unë vë veton ndaj gjithçkaje dhe pastaj vijnë demokratët dhe duan të bëjnë një marrëveshje”, deklaroi Trump javën e kaluar, duke iu referuar mundësisë së bashkëpunimit me një Kongres me shumicë demokrate.

Për të rrëzuar një veto presidenciale nevojiten 67 vota në Senat, një prag më i lartë se 60 votat që kërkohen për miratimin e një projektligji të rëndësishëm.

Mundësi për bashkëpunim dypartiak

Pavarësisht përplasjeve të mundshme, mund të ketë edhe hapësirë për bashkëpunim mes dy partive.

Gjatë mandatit të parë të Trump, pasi republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti bashkëpunoi me demokratët për miratimin e Aktit të Hapit të Parë (First Step Act), një ligj i rëndësishëm për reformën e sistemit të dënimeve.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kush janë donatorët më të mëdhenj në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në vitin 2026?

Edhe pse Elon Musk është larguar nga një rol publik në administratën e Donald Trumpit, ai vazhdon të ketë ndikim në politikën amerikane përmes financimit...
21:26 | 03/11/2026

Zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA si “referendum” për presidentin, historia tregon humbje për partinë në pushtet

Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara tradicionalisht shihen si një lloj “referendumi” për performancën e presidentit dhe të partisë në pushtet. Historia...
21:25 | 03/11/2026

Si funksionon procesi i numërimit të votave dhe kur do të shpallen rezultatet e zgjedhjeve në SHBA

Në SHBA, çdo shtet është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve dhe ka rregullat e veta për numërimin dhe përpunimin e votave. Disa shtete i përpunojnë...
21:02 | 03/11/2026