Kuvendi i hapi rrugën propozim-Ligjit për abrogimin e bashkësisë që koordinon shërbimet e sigurisë. Në trupin amë, Kuvendi procedoi për në lexim të parë, ndërsa pushteti dhe opozita u përplasën për konceptet e tyre.

Shumica parlamentare vlerëson se ligji pamundëson efikasitetin në sigurinë shtetërore. Madje ky konstatim është përfshirë edhe në arsyetimin e dërguar në Kuvend nga ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovksi ku mes tjerash potencohet edhe mungesa e besimit mes institucioneve.


“Zbatimi i tij në praktikë është i kufizuar. Ky zbatim i kufizuar vjen si pasojë e mosbesimit institucional, fushëveprimit tepër të ngushtë dhe mungesës së kapaciteteve operacionale”, Konstatimi i MPB-së.

Opozita e ka vlerësuar konstatimin si skandaloz. Sipas tyre, nëse ka mungesë besimi mes institucioneve dhe nuk ka rezultat nga puna e tyre, duhet dorëheqje dhe jo ndryshime ligjore. Tashmë dy vjet flitet modaliteti për bashkimin e shërbimeve të sigurisë në një organ të vetëm. Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Agjencia e Zbulimit dhe Shërbimi Ushtarak për Siguri dhe Zbulim janë paraparë të shkrihen në një trup, ndërsa dilema mbetet te përfshirja ose jo e Drejtorisë për Informacione të Klasifikuara në këtë domen.

Kryeministri Hristijan Mickoski tashmë disa herë ka deklaruar se shërbimet duhet shkrirë, por se procesi do të jetë larg syve të opinionit deri në përpilim të konceptit, ndërsa më pas do të ketë debat publik me ekspertë të fushës. Këta të fundit në disa paraqitje publike kanë deklaruar se ideja e emërimit të drejtorit nga jashtë bie në kundërshtim me standardet e BE-së dhe NATO-së, ndërsa pushteti koncentron fuqinë e tij dhe i hap rrugën keqpërdorimeve.

Me ndryshimet e reja jo zyrtarisht pritet që agjentëve operativ t’i kthehen autorizimet e policisë, autorizime që ju morën në vitin 2019 kur ish DSK-ja u kthye në ASK. Përfaqësitë diplomatike dhe të dërguarit special në to të definohen në kompetenca për grumbullimin e informacioneve në korniza diplomatike, ndërsa pritet të formohet edhe Qendër e re trajnimi për siguri.

Aktualisht Agjencia për Siguri Kombëtare është nën kompetencë të Qeverisë. Agjencia Zbulimit nën kompetencë të presidentes, ndërsa Shërbimi Ushtarak për Siguri dhe Zbulim nën kompetencë të Shtabit të Përgjithshëm, duke përfshi edhe sektorin për operacione të NATO-s që nga prilli i vitit 2020./Alsat/