Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin pagesat e ndihmës ushtarake për Izraelin deri në fund të këtij viti, duke argumentuar se vendi ka kapacitete të mjaftueshme ekonomike për të financuar vetë nevojat e tij ushtarake.
Në një intervistë për televizionin Fox, Trump tha se Izraeli është një vend i begatë dhe nuk ka më nevojë për rreth 4 miliardë dollarë ndihmë nga Uashingtoni.
“Ne tashmë kemi rënë dakord që, deri në fund të këtij viti, nuk do të bëjmë më pagesa për Izraelin”, deklaroi presidenti amerikan.
Megjithatë, Trump la të hapur mundësinë e mbështetjes amerikane në rast nevoje, duke theksuar se Izraeli do të mund të vazhdojë të blejë armë dhe pajisje ushtarake amerikane.
“Natyrisht, ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Izraelin nëse lind nevoja”, u shpreh ai, ndërsa shtoi: “Ata mund të blejnë çfarë të duan”.
Sipas Trump, marrëveshja për përfundimin e ndihmës ushtarake është arritur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Deklarata e tij nënkupton një ndryshim në mënyrën e mbështetjes amerikane ndaj Izraelit, duke e zhvendosur atë nga ndihma financiare e drejtpërdrejtë drejt mundësisë së blerjes së armëve amerikane.


