Roma pëson një tjetër zhgënjim në Champions League, duke u mposhtur 3-2 nga Manchester United në “Old Trafford”. Skuadra italiane dominoi pjesën e parë dhe krijoi një avantazh të dyfishtë, por në fraksionin e dytë vendasit reaguan fuqishëm, duke përmbysur gjithçka.
Verdhekuqtë e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaluan në avantazh në minutën e 11-të me Matias Soulé, i cili përfitoi nga një asist i Rodrigo Mora për të mposhtur portierin Lammens. Në minutën e 17-të, Donyell Malen dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, pas një prekjeje të topit me dorë nga Ayden Heaven në zonë.
Roma pati mundësi të tjera për të thelluar avantazhin, ndërsa Manchester United nuk arriti të reagonte deri në pushimin mes pjesëve.
Në fraksionin e dytë, vendasit u shfaqën më kërkues dhe në minutën e 55-të fituan një penallti. Vazquez priti goditjen e parë të Bruno Fernandes, por arbitri urdhëroi përsëritjen për shkak të pozicionimit të parregullt të Cristantes gjatë ekzekutimit. Në tentativën e dytë, portugezi nuk gaboi dhe ngushtoi diferencën në 1-2.
United vazhdoi presionin dhe Mbeumo ishte shumë pranë barazimit, por goditja e tij përfundoi fillimisht në njërën shtyllë dhe më pas në tjetrën, pa kaluar vijën fatale.
Goditja për Romën erdhi në minutën e 83-të. Një gabim i rëndë i mbrojtjes italiane i dha mundësinë Matheus Cunhas të barazonte rezultatin. Vetëm pak minuta më vonë, braziliani përfitoi sërish nga një tjetër gafë në prapavijë dhe realizoi golin e përmbysjes për 3-2.
Cunha u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 91-të pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Balerdit, por kjo nuk e ndryshoi fatin e takimit.
© SYRI.net
Bayern mposht Atletico Madridin në transfertë, Laimer dhe Karl vendosin sfidën
VIDEO/ Interi shkatërron Feyenoordin në Roterdam, fitore bindëse për zikaltrit
VIDEO/ Barcelona mposht thellë Aston Villën, Raphinha spikat me dy golaBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: