E rriti të birin e vetme pas ndarjes nga bashkëshorti/ Detaje të reja nga vrasja e 39-vjeçares shqiptare nga djali 21-vjeçar në Itali

Një krim i rëndë ka shokuar komunitetin shqiptar në qytetin italian Chiari, ku një 21-vjeçar me emrin Eduart Xhani dyshohet se i mori jetën nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha, pasi e goditi disa herë me thikë.

Pas ngjarjes, i riu u largua nga shtëpia, por në orët e para të mëngjesit u paraqit vullnetarisht në komandën provinciale të Karabinierëve në Cremona, ku rrëfeu krimin dhe pranoi se ishte autori i tij.

Të lidhura

None found

Në bazë të deklaratës së tij, forcat e rendit shkuan në apartamentin ku banonin nëna dhe i biri, në rrugën Via Tagliata Traversa II, dhe aty gjetën trupin e pajetë të gruas 39-vjeçare.

Eduart Xhani u vu në pranga me akuzën e vrasjes me dashje, ndërsa arsyeja e këtij akti mbetet ende e paqartë. Hetuesit po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe për të zbuluar nëse kishte pasur më parë konflikte apo tensione në familje.

Lajmi ka shkaktuar tronditje të thellë në mesin e shqiptarëve që jetojnë në atë zonë, ku familja njihej dhe ishte e integruar në jetën shoqërore të qytetit.

Denis Beqiri, president i Shoqatës Shqiptare në Chiari, u shpreh i shokuar nga ajo që ndodhi dhe e përshkroi 21-vjeçarin si një djalë të edukuar dhe të përkushtuar.

“Eduarti ishte një model për komunitetin tonë. Asnjëherë nuk do ta kishim parashikuar një ngjarje të tillë. Ai ka kryer një veprim që nuk mund të falet. Nuk arrijmë ta kuptojmë,” tha Beqiri për mediat italiane.

Ai shtoi se i riu kishte përfunduar një praktikë në agjencinë e tij imobiliare pasi mbaroi studimet në institutin “Einaudi” në Chiari.

“Ishte shumë i aftë, i përdorte me lehtësi programet CAD, ishte i thjeshtë dhe i përkushtuar. I kisha dhënë notën maksimale,” kujtoi Beqiri.

Më vonë, Eduart Xhani filloi të punonte me të afërmit e tij në sektorin e ndërtimit dhe më pas gjeti punë në një kompani lokale, por aktualisht nuk rezultonte më i punësuar aty.

Ndërkohë, nëna e tij, Meleqe Lusha, ishte e punësuar në një kooperativë që menaxhonte shërbimin e mensës në Spitalin Civil të Brescias.

Sipas raportimeve të mediave italiane, nëna dhe i biri jetonin të vetëm në banesën ku ndodhi krimi. 39-vjeçarja e kishte rritur djalin me mbështetjen e katër vëllezërve të saj. Eduarti ishte rritur pa praninë e babait dhe përshkruhej si një person i tërhequr, i cili shkonte rregullisht në palestër.

Kryebashkiaku i Chiari-t, Gabriele Zotti, deklaroi se familja ishte e njohur në komunitet dhe se më parë nuk kishte pasur asnjë sinjal që të sugjeronte një situatë problematike.

“Askush nuk kishte vënë re ndonjëherë diçka që të na bënte të mendonim se kishte probleme,” tha ai.

Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivin që çoi në këtë krim të rëndë.


Shtuar më 4.11.2026 02:00