Komuna e Rahovecit ka publikuar listat përfundimtare të përfituesve të serrave dhe sistemeve vetëmenaxhuese SMART, pas përfundimit të procesit të aplikimit, shqyrtimit të dokumentacionit dhe trajtimit të ankesave.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, përmes këtij projekti janë ndarë gjithsej 77 sera, prej të cilave 48 me sipërfaqe prej tri ari dhe 26 me sipërfaqe prej pesë ari, si dhe tri sisteme vetëmenaxhuese SMART për sera.


Ndërkohë, fermerëve përfitues u është prezantuar edhe një mundësi shtesë mbështetjeje, në bashkëpunim me Fondacionin AGRODEV.

Përmes këtij bashkëpunimi, fermerët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e kërkuara do të kenë mundësi të përfitojnë pajisje dhe sisteme moderne SMART për ujitje, plehërim dhe monitorim të serrave, në vlerë prej 400 deri në 750 euro për fermer.

Drejtori i Bujqësisë në Rahovec ka thënë se synimi është modernizimi i prodhimit bujqësor dhe krijimi i mundësive të reja për fermerët përmes projekteve dhe bashkëpunimit me partnerë vendorë e ndërkombëtarë.

Ai ka falënderuar Fondacionin AGRODEV për bashkëpunimin dhe përkrahjen në këtë projekt. /Telegrafi/