Kujdes gjatë mbledhjes së gështenjave në Deçan, raportohet për shfaqjen e një ariu në Pobërgjë

Një qytetar nga rajoni i Deçanit, Sejdë Tolaj, ka treguar se është përballur me një ari gjatë mbledhjes së gështenjave në afërsi të fshatit Pobërgjë.
Në një postim në Facebook, Tolaj ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën, kur ishte së bashku me një familjar në një zonë malore, rreth 10 metra larg një ariu të madh.
Sipas tij, familjari që ndodhej disa metra larg e kishte vërejtur kafshën dhe e kishte njoftuar për praninë e saj.
“Familjari im, i cili ndodhej rreth 7–8 metra larg meje, i shqetësuar dhe i shtangur nga ajo që kishte parë, erdhi dhe më njoftoi se pas nesh ishte ariu”, ka shkruar Tolaj.
Ai ka treguar se në atë moment vendosi të largohej me vrap përmes një përrocke, ndërsa bashkë me familjarin vrapuan për rreth 20 minuta.
“Në atë moment, pa menduar gjatë, vendosa të largohem me vrap përmes një përrocke. Vrapuam për afërsisht 20 minuta dhe, fatmirësisht, ariu nuk na ndoqi. Shpëtuam pa pasoja!”, ka thënë ai.
Tolaj ka paralajmëruar qytetarët që dalin për të mbledhur gështenja në këtë rajon që të tregojnë kujdes dhe të mos shkojnë vetëm në zonat malore.
Ai ka theksuar se terreni ku ka ndodhur ngjarja është kryesisht i mbuluar me pyje bungje, me pak gështenja dhe me pamje të kufizuar në disa pjesë, gjë që, sipas tij, mund ta vështirësojë edhe gjetjen e personave në rast të ndonjë incidenti.
“Dua t’i paralajmëroj të gjithë ata që dalin për të mbledhur gështenja në këtë rajon që të kenë shumë kujdes dhe të mos dalin vetëm”, ka shkruar Tolaj.
Në fund të postimit, ai ka pyetur ndjekësit se si do të vepronin në një situatë të tillë dhe ka kërkuar këshilla, veçanërisht nga personat që kanë njohuri për sjelljen e arinjve.
“Kujdes, sepse në mal nuk jemi gjithmonë vetëm!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/









































