I ftuar në një lidhje Skype në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, avokati Franc Nuri ka komentuar masat e reja të qeverisë Rama ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si një tjetër formë presioni dhe intimidimi ndaj qytetarëve.
Nuri deklaroi se, pasi arrestimet, shoqërimet në komisariate dhe presioni policor nuk kanë dhënë efektin e synuar, qeveria ka ndryshuar strategji, duke i kaluar ndëshkimet në planin financiar.
Avoakti tha se përmes një akti normativ të miratuar pa diskutim parlamentar, Policisë së Shtetit i është dhënë mundësia të vendosë gjoba që nisin nga 50 mijë lekë të vjetra dhe arrijnë deri në 5 milionë lekë të vjetra.
Avokati e konsideroi këtë një zhvillim shqetësues për lirinë e protestës, duke paralajmëruar se ndëshkimi financiar po përdoret si instrument për të ushtruar presion ndaj qytetarëve që kundërshtojnë qeverinë.
Pjesë nga intervista:
Pak a shumë, taksa e diktaturës. Ne e kemi prej vitesh që themi se po rrëshqasim në diktaturë. Tashmë mund të themi zyrtarisht që kemi hyrë në diktaturë, sepse këto masa ekstreme, kështu u cilësuan edhe nga mediat ndërkombëtare, u morën javën e kaluar nga qeveria shqiptare. Edi Rama mblodhi qeverinë para 6 ditësh, javën e kaluar, dhe miratoi një ligj, një akt normativ me fuqinë e ligjit, pa pyetur fare parlamentin, pa pritur që të mblidhej parlamenti fare, pa diskutuar asgjë, me urgjencë, duke e justifikuar me urgjencën e situatës së krijuar, sipas tij.
Dhe ka miratuar disa norma që vendosin gjoba nga 5 mijë lekë të reja, pra 50 mijë lekë të vjetra, deri në 5 milionë lekë të vjetra për çdo protestues.
Është e njëjta gjë si me gjobat e automjeteve, ku për gjobat e parkimit, për shembull, por nga 10 deri në 30, ata kanë një marzh që mund të vendosin gjoba. Këtu kemi të bëjmë me kundërvajtje administrative. E panë që ndoshta me masat e sigurisë personale, me arrestet me burg, me arrestet në shtëpi, me presionin policor, nuk i funksionoi deri diku.
Atëherë qeveria Rama ndryshoi strategji, duke vendosur gjoba dhe duke ia lënë këtë si kundërvajtje administrative Policisë së Shtetit. Dhe policia tashmë ka filluar me gjoba të ulëta, si fillim me 50 mijë lekë të vjetra, por, sikundër e dëgjova edhe pak më herët, para se të vija në emision, një nga protestuesit që ishte shoqëruar në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë dëshmonte se i ishte thënë: "Herën e parë e ke kaq, herën e dytë do ta kesh 10-fish gjobën", dhe më pas ajo gjoba ekstreme prej 5 milionë lekësh të vjetra.
© SYRI.net