Jep dorëheqjen ministri spanjoll i Transportit pas aksidentit tragjik hekurudhor me 69 viktima

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, ka dhënë dorëheqjen të martën, pas aksidentit të rëndë hekurudhor të javës së kaluar, ku humbën jetën 69 persona. Ngjarja konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në Evropë gjatë këtij shekulli.
Përveç largimit nga posti ministror, Puente njoftoi edhe tërheqjen nga listat e kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.
Vendimi u bë publik në përfundim të një seance të gjatë dëgjimore përpara deputetëve, ndërsa ministri deri më tani kishte përjashtuar disa herë mundësinë e dorëheqjes.
“Dëshiroj t’ju informoj se nuk po largohem vetëm nga detyra e ministrit të Transportit, por po tërhiqem edhe nga listat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 nëntorit”, deklaroi Puente.
Si ndodhi aksidenti?
Përplasja ndodhi të mërkurën e kaluar, pranë fshatit Urda, rreth 130 kilometra në jug të Madridit.
Një tren i kompanisë shtetërore Renfe u përplas me pjesën e pasme të një treni të palëvizshëm, që i përkiste operatorit privat Iryo.
Defekti i një sistemi automatik sigurie kishte ndalur të gjithë trenat në një segment prej rreth 63 kilometrash të linjës hekurudhore. Megjithatë, qendra e kontrollit autorizoi trenin e Renfe-s të rifillonte udhëtimin.
Opozita e djathtë dhe sindikatat kishin kërkuar dorëheqjen e ministrit, duke e kritikuar për mënyrën se si kishte trajtuar përgjegjësinë për aksidentin. Sipas tyre, Puente kishte tentuar të përqendronte fajin te një operator i vetëm i qendrës së kontrollit.
Masa të reja për sigurinë hekurudhore
Pak orë përpara njoftimit të dorëheqjes, Puente kishte prezantuar një paketë masash për përmirësimin e sigurisë në transportin hekurudhor.
Ndër propozimet kryesore është krijimi i një programi kompjuterik për qendrat e kontrollit, i cili do të lëshojë automatikisht sinjalizime dhe do të ndihmojë në identifikimin e anomalive në trafikun hekurudhor.
Ministri njoftoi gjithashtu krijimin e një agjenti të inteligjencës artificiale për të mbikëqyrur sistemin dhe për të minimizuar mundësinë e gabimeve njerëzore.
Sipas tij, në rastet kur sistemi automatik i sigurisë është jashtë funksionit dhe operatori duhet të marrë një vendim, ai do të duhet të konfirmohet edhe nga një operator i dytë.
Puente njoftoi gjithashtu reforma në kushtet e punës së operatorëve të qendrave të kontrollit, përfshirë rregullimin e pushimeve dhe monitorimin e niveleve të lodhjes.
Ndërkohë, qeveria ka bërë të ditur një paketë ndihme prej 30 milionë eurosh për familjet e viktimave dhe dhjetëra personat e plagosur nga aksidenti.




