Katër cisterna nafte shkatërrohen nga minat detare në Ngushticën e Hormuzit, pretendon Irani

Katër cisterna nafte janë shkatërruar pasi kanë goditur mina detare në Ngushticën e Hormuzit, ka njoftuar të mërkurën Garda Revolucionare e Iranit (IRGC), një ditë pasi zyrtarët amerikanë deklaruan se ushtria e SHBA-së kishte kryer sulme ndaj objektivave në këtë vend.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare iraniane Tasnim, IRGC-ja ka bërë të ditur se dy nga cisternat vazhdonin të digjeshin, ndërsa dy të tjera ishin sekuestruar. Sipas pretendimeve të saj, anijet po përpiqeshin të kalonin përmes një korridori jugor të ndaluar në ngushticë.
BBC-ja ka theksuar se nuk ka mundur t'i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime. Garda Revolucionare kishte raportuar gjithashtu se tri cisterna ishin shkatërruar pasi kishin goditur mina në orët e para të së martës, si dhe se kishte rrëzuar një dron amerikan MQ-9 mbi Ngushticën e Hormuzit.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit mbeten të larta, ndërsa negociatat për përfundimin e konfliktit janë bllokuar prej muajsh, transmeton Telegrafi.
Kryenegociatori i Iranit dhe kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, i është referuar edhe rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ku republikanët pësuan humbje të konsiderueshme. Ai tha se rezultatet tregojnë se qytetarët amerikanë nuk e mbështesin luftën.
“Qoftë për arsye ndërgjegjeje apo për shkak të kostos së jetesës, amerikanët thanë jo luftës dhe ne e mbështesim këtë mesazh”, shkroi Ghalibaf në rrjetin social X.
Ai paralajmëroi Uashingtonin që të mos e shpërfillë vullnetin e qytetarëve amerikanë, duke shtuar se nëse administrata amerikane vepron në kundërshtim me këtë vullnet, do të përballet me pasoja të rënda.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pranoi të martën se rezultatet e dobëta të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit ishin ndikuar pjesërisht nga lufta me Iranin dhe rritja e çmimeve të karburanteve. Megjithatë, ai tha se nuk pendohej për vendimin për nisjen e sulmeve.
Në një intervistë për CBS News, Trump deklaroi se konflikti do të përfundonte “kur të vendos unë”.
Ndërkohë, në një intervistë për Financial Times para zgjedhjeve, ai u shpreh se ishte i kënaqur me gjendjen e konfliktit dhe se nuk e konsideronte atë si një luftë të mirëfilltë. I pyetur për deklaratat e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se mund të kishte një tjetër sulm ndaj Iranit gjatë kësaj jave, Trump tha se forcat amerikane ishin të gatshme për veprim, por se një sulm i ri mund të mos ishte i nevojshëm.
Të martën në mbrëmje, në një intervistë për Fox News, Trump tha se kishte persona që do të dëshironin një goditje të fuqishme ndaj Iranit. Ai përsëriti se, sipas tij, Teherani nuk do të lejohet kurrë të sigurojë armë bërthamore.
Konflikti nisi në shkurt, pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit. Që atëherë, përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftimeve kanë ngecur, pa shenja të qarta për një marrëveshje.
Ghalibaf deklaroi në një seancë parlamentare të martën se Irani nuk do të dorëzohej dhe se përgjegjësia për parandalimin e një lufte të re i takonte Shteteve të Bashkuara. Ai paralajmëroi se çdo gabim tjetër strategjik i Uashingtonit do ta përballte atë me një situatë edhe më të vështirë.
Nga ana tjetër, presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se qeveria e tij kishte vazhduar përpjekjet për zgjidhjen e krizës përmes dialogut. Ai paralajmëroi se rifillimi i luftimeve nuk do t'i sillte përfitime asnjërës palë.
Irani e mbylli Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve ndaj vendit dhe ka deklaruar se do ta rihapë atë vetëm nëse SHBA-ja pranon kërkesat e përfshira në planin iranian të paqes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, bëri të ditur se plani fillestar prej shtatë pikash ishte përmbledhur dhe se mund të zbatohej brenda dy ditësh, nëse Uashingtoni do të pranonte kushtet e propozuara nga Teherani. /Telegrafi/










































