Kryeprokurori emëron prokurorë për mbikëqyrjen e prokurorive në vend

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vendosur të caktojë prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) për të mbikëqyrur Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale dhe prokuroritë themelore në vend.

Në komunikatën e Prokurorit të Shtetit thuhet se vendimi synon të rrisë efikasitetin e punës së prokurorive, të sigurojë zbatim të njëtrajtshëm të praktikave dhe të garantojë respektimin e ligjshmërisë.

Të lidhura

None found

Prokurorët e caktuar do të ndjekin menaxhimin dhe efikasitetin e prokurorive që mbikëqyrin. Ata do të japin gjithashtu mbështetje e këshilla për zbatimin e udhëzimeve dhe vendimeve të ZKPSH-së.

Detyrat e tyre përfshijnë ndjekjen e trajtimit të lëndëve të vjetra dhe të atyre me prioritet, evidentimin e sfidave e problematikave institucionale, si edhe mbikëqyrjen e zbatimit të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve.

Si pjesë e kësaj pune, prokurorët e caktuar do të marrin pjesë në kolegjiumet e prokurorive përkatëse.

Komunikata thekson se mbikëqyrja do të kryhet pa cenuar pavarësinë funksionale të prokurorëve.

Sipas Prokurorit të Shtetit, vendimi synon edhe forcimin e llogaridhënies dhe transparencës institucionale, si dhe përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm për realizimin e prioriteteve dhe objektivave të institucionit.


Shtuar më 4.11.2026 09:28