Ish-portieri i njohur spanjoll, Santi Cañizares ka komentuar tragjedinë që tronditi futbollin spanjoll, ku humbi jetën në moshën 30-vjeçare sulmuesi i Tenerifes, Jesús de Miguel, pas përplasjes me portierin e Andorrës, Jesús Owono. Gjatë një interviste në emisionin televiziv “Horizonte”, Cañizares analizoi episodin fatal dhe foli edhe për rreziqet që shoqërojnë profesionin e futbollistit.
“Është shumë e vështirë që pasoja e një ndërhyrjeje në fushë të jetë vdekja. Aq e rrallë është, sa statistikat thuajse nuk e marrin në konsideratë”, u shpreh ish-portieri, i cili ka luajtur me Real Madridin, Valencian, Celta Vigon dhe Elchen, si dhe ka përfaqësuar 46 herë kombëtaren e Spanjës.
Duke analizuar përplasjen mes Owono dhe De Miguel, Cañizares vlerësoi se portieri i Andorrës përdori më shumë forcë sesa duhej dhe nuk arriti të kontrollonte lëvizjen e trupit në momentin kur kishte fituar duelin për topin.
“Për mua, problemi është se Owono përdor forcë të tepruar dhe nuk ka aftësinë e duhur për të kontrolluar trupin kur kupton se e ka fituar duelin. Ai shkon deri në fund me gjithë forcën e tij. Pikërisht kontrolli i trupit është vendimtar në raste të tilla”, shpjegoi ai.
Ish-portieri rikujtoi edhe raste të tjera tragjike në futbollin spanjoll. Ai përmendi José Antonio Gallardon, portier i Malagës, i cili në vitin 1987 pësoi një goditje në kokë gjatë një ndeshjeje dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë, si dhe Raúl Ramírezin, portierin e Colindres, që humbi jetën në vitin 2025 pas një goditjeje në kokë.
Gjatë bisedës, Cañizares zbuloi edhe dy frikërat më të mëdha të futbollistëve gjatë karrierës së tyre: problemet kardiovaskulare që mund t'u marrin jetën dhe dëmtimet e rënda që mund t'i lënë me pasoja të përhershme, duke u pamundësuar vazhdimin e profesionit.
“Futbollisti ka dy frikëra: vdekjen nga problemet e zemrës dhe mbetjen me një paaftësi që nuk të lejon të ushtrosh më profesionin. Por askush nuk e imagjinon se mund të humbasë jetën nga një ndërhyrje në fushë”, deklaroi Cañizares.
Në fund, ai theksoi se në tragjedinë e Jesús de Miguel ka pasur edhe një komponent të fortë fati të keq, pasi raste të tilla mbeten jashtëzakonisht të rralla në futbollin profesionist.
© SYRI.net
Luis Enrique shmang euforinë pasi PSG shkatërroi Villarrealin: Nuk jemi ende kampionë dhe as në finalen e Madridit
Lewandowski, ende i zhgënjyer për ‘Topin e Artë’ të vitit 2020: Nuk ma ka falur kurrë atë vendim
Thierry Henry reagon ashpër ndaj sulmit racist në Francë: Mund të kishte qenë vëllai im ose vajza imeBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: