Festivali i 34-t Shqiptar në Nju Jork, në qendër të vëmendjes ruajtja e gjuhës dhe traditave shqiptare
Komuniteti shqiptaro-amerikan u mblodh më 1 nëntor në Nju Jork, në edicionin e 34-t të Festivalit Shqiptar, një aktivitet që ndërthur muzikën, vallet tradicionale dhe trashëgiminë kulturore shqiptare.
Festivali, i organizuar nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, mblodhi këngëtarë, ansamble folklorike, valltarë dhe instrumentistë, të cilët sollën në skenë elemente të kulturës dhe traditës shqiptare.
Përtej atmosferës festive, mesazhi kryesor i këtij edicioni ishte ruajtja e gjuhës shqipe dhe përcjellja e identitetit kombëtar te brezat e rinj të diasporës, shkruan Telegrafi.
Gjatë aktivitetit, atë Pjetër Popaj iu drejtua të pranishmëve, duke vënë theksin te rëndësia e gjuhës amtare si pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore dhe identitetit shqiptar.
Ruajtja e shqipes mbetet një sfidë për shumë familje emigrante, veçanërisht për fëmijët që lindin dhe rriten në Shtetet e Bashkuara, ku anglishtja është gjuha dominuese në shkollë dhe në jetën e përditshme.
Në këtë kontekst, organizime të tilla shërbejnë si një mundësi për t'i afruar brezat e rinj me gjuhën, traditat dhe rrënjët e tyre familjare.
Festivali solli në një skenë të përbashkët muzikën tradicionale, këngën dhe vallet folklorike, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e komunitetit shqiptaro-amerikan për të ruajtur trashëgiminë e tij.
Sipas gazetës shqiptaro-amerikane “Dielli”, aktiviteti i 1 nëntorit pati në fokus të veçantë ruajtjen e gjuhës shqipe.
Edicioni i 34-t i Festivalit Shqiptar dëshmoi rolin e rëndësishëm që organizatat kulturore dhe fetare vazhdojnë të luajnë në jetën e diasporës, duke e kthyer festimin e traditave në një mjet për forcimin e identitetit shqiptar ndër breza./Telegrafi/





























