“Obama i ri” i demokratëve? Kush është Jon Ossoff, senatori 39-vjeçar që po shihet si kandidat i mundshëm për Shtëpinë e Bardhë

Senatori demokrat Jon Ossoff, ende pa mbushur 40 vjeç, ka siguruar një tjetër mandat në Senatin amerikan, pas fitores së lehtë në zgjedhjet afatmesme në shtetin e Xhorxhias. Rezultati e forcon pozicionin e tij si një nga figurat në ngritje të Partisë Demokratike, ndërsa emri i tij po përmendet gjithnjë e më shumë si një kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Megjithatë, Ossoff ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka dëshirë të hyjë në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Demokrati mposhti kandidatin republikan Mike Collins, në një shtet ku Donald Trump kishte fituar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Fitorja e Ossoff u bë e qartë më pak se një orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Gjatë fjalimit të fitores në Atlanta, senatori kritikoi ashpër presidentin amerikan, duke deklaruar se qytetarët kishin refuzuar atë që ai e cilësoi si rënie morale, korrupsion dhe paaftësi të administratës Trump.
Mbështetësit e tij e shohin Ossoff si një figurë që mund të bashkojë demokratët dhe të tërheqë edhe votues përtej kufijve partiakë. Disa prej tyre e krahasojnë me ish-presidentin Barack Obama, duke vlerësuar karizmën, aftësinë e tij komunikuese dhe empatinë. Obama vetë udhëtoi drejt Xhorxhias për ta mbështetur në ditët e fundit të fushatës, duke forcuar edhe më shumë krahasimet mes dy politikanëve.
Ossoff tërhoqi vëmendjen e mediave edhe gjatë verës, pas kritikave ndaj Trump për mënyrën se si ushtron detyrën presidenciale dhe për raportin e tij me bashkëpunëtoren Natalie Harp. Deklaratat e senatorit u bënë virale në rrjetet sociale, ndërsa presidenti amerikan reagoi duke e tallur publikisht. Gjatë fushatës, Ossoff mori gjithashtu mbështetjen e disa kryebashkiakëve republikanë, të cilët vlerësuan qëndrimet e tij.
I lindur në Atlanta në një familje hebreje, Jon Ossoff hyri në Senatin amerikan në vitin 2021, kur në moshën 33-vjeçare u bë një nga senatorët më të rinj në historinë e vendit. Së bashku me senatorin tjetër demokrat të Xhorxhias, Raphael Warnock, ai luajti një rol të rëndësishëm në kalimin e kontrollit të Senatit te demokratët. Gjatë karrierës së tij politike është frymëzuar edhe nga John Lewis, një prej figurave historike të lëvizjes për të drejtat civile në SHBA, me të cilin kishte krijuar kontakt që në adoleshencë.
Pavarësisht interesimit të mbështetësve për një kandidim të mundshëm presidencial, Ossoff nuk ka dhënë sinjale se synon të hyjë në garën e vitit 2028. Rizgjedhja e tij, megjithatë, e vendos atë në qendër të vëmendjes së politikës amerikane dhe e forcon profilin e tij brenda Partisë Demokratike, në një periudhë kur partia po kërkon figura të reja për të ardhmen.
/vizionplus.tv




