Vendosni fjalën kyçe....

Korreshi akuzon drejtues të Policisë për shpërblime prej 2,500 eurosh: I morën ndërsa protestën e ndiqnin nga shtëpia



Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar lidhur me shpërblimet prej 2,500 eurosh që, sipas tij, u janë dhënë drejtuesve të Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit në Tiranë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Korreshi ironizon atë që e cilëson si “heroizëm me telekomandë”, duke pretenduar se disa drejtues të policisë kanë përfituar shpërblimet, ndonëse nuk kanë qenë të pranishëm në terren gjatë përballjes së efektivëve me protestuesit.

Ai përmend në mënyrë të veçantë Anisa Duckollarin, drejtoreshë e Personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe stafin e saj. Sipas deputetit, ata kanë qenë ndër të parët që kanë marrë nga 2,500 euro, ndërsa protestën e kanë ndjekur nga banesat e tyre.

Korreshi ka kritikuar edhe përdorimin e shkopinjve të gomës, plumbave prej gome dhe gazit lotsjellës ndaj studentëve gjatë protestave, duke iu drejtuar efektivëve të policisë me fjalët: “Për 2,500 euro, harram i paci!”.

Në reagimin e tij, deputeti shkruan:

“Heroizëm me telekomandë!

Alooo ju policët që nuk kursyet shkopin e gomës, plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës ndaj studentëve për 2,500 euro, harram i paci!

Po e dini cili është kulmi?

Ndërkohë që ju dhunonit dhe helmonit në shesh, Anisa Duckollari, Drejtoresha e Personelit në DPPSH, bashkë me gjithë stafin e saj ‘rraskapitës’, i morën të parët nga 2,500 euro!

Pjesëmarrja e tyre e vetme gjatë protestës?

E panë aksionin me përkushtim nga divani i shtëpisë.”