Pikturat gazmore të artistit kolumbian Fernando Botero i ripërfytyrojnë veprat më ikonike dhe më të famshme të artit historik evropian. Çfarë zbulon vizioni i tij i veçantë për historinë e artit - dhe për vendin e Amerikës Latine në të?

Nga: Precious Adesina / BBC (titulli: 'A way of celebrating presence': What Botero's rotund remakes of classical masterpieces tell us about art history)
Përkthimi: Telegrafi.com


Në një pikturë të artistit të ndjerë kolumbian Fernando Botero, një grua e veshur me një fustan të gjelbër e shikon drejtpërdrejt shikuesin. Në sfond është një peizazh natyror dhe një vello e tejdukshme i mbulon flokët e errët e kaçurrelë. Së bashku me vetullat e saj mezi të dukshme, portreti i referohet qartazi Mona Lizës së Leonardo da Vincit. Megjithatë, ai mbart të gjitha tiparet veçuese që e bëjnë menjëherë të dallueshme si vepër të Boteros: figura ka trup të rrumbullakosur, kokë të madhe dhe tipare të vogla të fytyrës.

Mona Liza (1978) është njëra prej disave veprave të piktorit dhe skulptorit që ripërfytyrojnë në botë - në stilin e tij karakteristik, të njohur si “Boterizmi” [Boterismo] - disa prej veprave dhe motiveve më të famshme artistike. Figurat dhe objektet bëshme të Boteros e kanë bërë atë një nga artistët më lehtësisht të dallueshëm në Amerikën Latine. “Disa artistë kanë gjuhë shumë personale dhe njëri prej tyre është Botero - gjithmonë do ta dalloni ndonjë vepër të tij”, thotë Belén Herrera Ottino, drejtoreshë e Galerisë “Opera” në Madrid. Dega e galerisë në Londër po paraqet aktualisht - dhe deri në fund të nëntorit - ekspozitën Fernando Botero: Në lavdërim të një bote të zmadhuar [Fernando Botero: in Praise of an Amplified World].

“Mona Lisa” (1978) e Fernando Boteros e ripërfytyron kryeveprën e Leonardo da Vincit (Fernando Botero / Pjesë e Koleksionit të Artit të Bankës së Republikës së Kolumbisë

Stili i veçantë i Boteros i ka sjellë famë ndërkombëtare. Piktura e tij Mona Liza, dymbëdhjetë vjeçe (1959) u ble nga Muzeu i Artit Modern (MoMA) në vitin 1961, skulpturat e tij prej bronzi janë ekspozuar në hapësira prestigjioze publike, përfshirë Parkun e Avenysë në Nju-Jork dhe Pallatin e Elizesë në Paris, ndërsa piktura e tij Muzikantët (1979) arriti çmimin 5.1 milionë dollarë [4.8 milionë euro] në një ankand të [shtëpisë së ankandeve] Christie’s në Nju-Jork në nëntor të vitit 2023 - dy muaj pas vdekjes së tij.

Por, cili është kuptimi që qëndron pas stilit të veçantë të Boteros - dhe çfarë mund të na tregojë ai për historinë e artit të Evropës dhe Amerikës Latine?

Për Boteron, ekzagjerimi i objekteve dhe figurave ishte “një mënyrë për të kremtuar praninë e gjërave”, thotë Herrera Ottino, duke shtuar se ishte gjithashtu një “kremtim i jetës dhe i sensualitetit të natyrës”. Gjatë jetës së tij, ai shpjegonte shpesh se qëllimi kryesor i veprave të tij ishte t’ua ngrinte disponimin atyre që i shihnin, gjë që besonte se këtë mund ta bënin sidomos forma dhe ngjyra. “Për të ishte e qartë se, gjatë gjithë historisë, qëllimi i artit ishte të krijonte kënaqësi”, shton i biri i artistit dhe ish-ministri kolumbian i Mbrojtjes, Fernando Botero Zea.

- Lexo po ashtu: Mendime nga Fernando Botero: Arti duhet të jetë strehë larg vështirësive të jetës

Fuqia e Boterizmit

Origjina e Boterizmit mund të gjurmohet deri në vitin 1956, kur Botero jetonte në Meksiko-Siti. Ai pikturoi rastësisht një vrimë tepër të vogël rezonance në një mandolinë te Natyrë e qetë me mandolinë (1957) dhe “ndjeu se instrumenti shpërtheu në vëllim dhe formë”, i thotë Botero Zea, BBC-së. “Ajo ishte dita kur lindi stili i Boteros”. Më pas, artisti i krijoi të gjitha veprat e tij si pjesë të së njëjtës botë të veçantë, ku gjithçka zë hapësirë. “Ka shumë pak artistë që kanë krijuar një univers të tërë të lidhur me një stil të vetëm unik”.

“Muzikantët” (1979) arriti një çmim shumë të lartë në ankand në vitin 2023, dy muaj pas vdekjes së Boteros(Fernando Botero / Christie’s)

Shumë piktura, vizatime dhe skulptura të Boteros, krahas veprave nga koleksioni i tij personal (përfshirë vepra të Picassos, Monetit dhe Dalísë), mund të gjenden gjithashtu në Muzeun “Botero” në Bogotë të Kolumbisë. Kur artisti ia dhuroi këto vepra Bankës Qendrore të Kolumbisë (e cila e administron muzeun) në vitin 2000, “ai po e lidhte veprën e vet me traditën evropiane”, i thotë BBC-së, Nicolás Gómez Echeverri, drejtor i arteve në bankë. “Ai po u thotë vizitorëve: ‘emri im është në të njëjtin nivel me këta të tjerët’”.

Ajo që tregon gjithashtu koleksioni i Muzeut “Botero” është se Botero ishte i fiksuar pas Mjeshtërve të Vjetër evropianë. “Babai im ishte i magjepsur nga artistët e mëdhenj”, thotë Botero Zea. “Ai besonte thellësisht se momenti më i lartë në historinë e artit ishte Renesanca [italiane] dhe se pas kësaj periudhe pati rënie - me përjashtime të shkëlqyera si Picasso dhe piktorët impresionistë”.

“Menina, sipas Velaskezit” (1982) paraqet Margaret Theresan pesëvjeçare të Spanjës(Fernando Botero)

Artistit nuk i pëlqente veçanërisht abstraksioni, duke vënë në dukje se popullariteti i veprës së tij vinte si rezultat i largësisë së madhe nga një qasje “ku gjithçka është e errët” dhe ku shikuesi “ndien se i duhet një profesor për t’i treguar nëse është e mirë apo jo”, i tha Botero, Los Angeles Times-it, në vitin 2012. “Besoj se piktura duhet t’i flasë drejtpërdrejt shikuesit”.

Botero Zea thotë se babai i tij, pasi u shpërngul në Madrid në vitin 1952, në moshën 20-vjeçare, e admironte veçanërisht artin italian. Në atë kohë, Botero studionte në Akademinë prestigjioze Mbretërore të Arteve të Bukura të San Fernandos dhe punonte si kopjues në Muzeun “Prado”. Më pas, Botero pa në vitrinën e një dyqani një libër për piktorin italian të shekullit XV, Piero della Francesca, dhe menjëherë “mori vendimin të shpërngulej në Firence”, thotë Botero Zea.

Arti që e frymëzoi

Sipas Botero Zeas, dy vepra arti përcaktuan veçanërisht rrjedhën e karrierës së Boteros. E para është Takimi mes mbretëreshës së Shebës dhe mbretit Solomon (1452-1466) e Piero della Francescas, një afresk i madh që paraqet një skenë biblike ku sundimtari, mbreti Solomon, takohet me mbretëreshën e Shebës. Kjo vepër të çon pas te fëmijëria e Boteros në Medelín të Kolumbisë, ku ai kishte pak mundësi për të vizituar muze arti dhe artin e njihte përmes pikturave dhe skulpturave fetare brenda kishave katolike.

“Fornarina, sipas Rafaelit” (2009) - stili i artistit u bë i njohur si “Boterizëm”(Fernando Botero)

Duka dhe dukesha e Urbinos (rreth viteve 1473-1475) e della Francescas, një portret i dyfishtë i frymëzuar nga monedhat dhe medaljet e lashta romake, frymëzoi diptikun e Boteros, Federiko da Montefeltro, Batista Sforca (1998). Në versionin origjinal, duka shikon majtas, duke fshehur anën e fytyrës së tij të shpërfytyruar në një turne me heshta. Teksa Botero nuk e ripërfytyron fytyrën e dukës me këto shenja, ai ua ndërron anët nga të cilat çifti shikon. Të dy janë gjithashtu dukshëm më të bëshëm, duke zënë më shumë vend në telajo.

Qasja e Boteros ndaj formës bën që shumë njerëz ta perceptojnë veprën e tij thjesht si paraqitje të njerëzve “të shëndoshë”. Te Menina, sipas Velaskezit, ai përqendrohet te figura qendrore e kryeveprës së Diego Velázquezit, Las Meninas (1656) - Margaret Theresa pesëvjeçare e Spanjës. Te Menina e Boteros, fytyra e saj është më topolake dhe trupi më i plotë. Te Fornarina, sipas Rafaelit (2009), ai bën të njëjtën gjë, duke e shndërruar veprën La Fornarina (Portreti i një gruaje të re) (1518-19) të Raphaelit - paraqitjen e një gruaje kryesisht të zhveshur që mban një vello të hollë për të mbuluar pjesën e poshtme të barkut - në një figurë të madhe që buzëqesh.

Megjithatë, vetë Botero e kundërshtonte shprehimisht termin “i/e shëndoshë”, duke i thënë gazetës spanjolle El Mundo, në vitin 2014: “Nuk pikturoj gra të shëndosha .Askush nuk më beson, por është e vërtetë. Nëse pikturoj një grua, një burrë, një qen ose një kalë, e bëj duke pasur [në mendje] vëllimin”.

Tërheqja (1984) është ndër veprat e ekspozuara në ekspozitën kushtuar Fernando Boteros(Fernando Botero / Thomas Lim)

Një tjetër ndikim ishte Beteja e San Romanos - një seri prej tri pikturash të artistit fiorentin Paolo Uccello që paraqesin një përleshje mes forcave fiorentine dhe atyre të Sienës në vitin 1432. Botero Zea vë në dukje një kalë të bardhë të trashë me pajime në qendër të njërës prej veprave. Kafsha bie në sy mes një morie burrash me armatura të errëta, gjë që, sipas Botero Zeas, e bën të duket si “një Botero”.

Kuaj të ngjashëm mund të gjenden në të gjithë krijimtarinë e Boteros - te Tërheqja (1984), një skenë ku tre kuaj tërheqin trupin e një demi të ngordhur jashtë një arene tradicionale të ndeshjeve me dema.

Por, fakti që një artist kolumbian ishte kaq i magjepsur nga artistët evropianë ngre pyetje për dukshmërinë - dhe, arti i kujt konsiderohet i rëndësishëm. Duke kujtuar fëmijërinë e tij, Botero Zea tregon se i ati e çonte në shumë prej institucioneve më të mëdha të artit në botë, përfshirë Muzeun Metropolitan të Artit, Luvrin, Galerinë Kombëtare në Londër dhe Uficin në Firence. Ai thotë se Botero tërhiqej shpesh nga veprat më të shquara të artistëve më të njohur në botë.

Diptiku i Boteros i vitit 1998 u frymëzua nga një portret i dyfishtë i Della Francescas(Fernando Botero)

Megjithatë, Gómez Echeverri thotë se vepra e Boteros nuk ka të bëjë thjesht me lartësimin e artit perëndimor - në fakt, arti i tij shqyrton marrëdhënien e Kolumbisë me të. Për shembull, ai shpjegon se Mona Liza mund të gjendet e printuar në gjithë vendin. “Këtu afër është një restorant që quhet Mona Liza dhe është piceri”, thotë ai. Edhe një bar në një pjesë të frekuentuar të qytetit e ka Dalín të paraqitur nëpër muret e tij. “Besoj se këto lloj veprash të Boteros, si Mona Liza e tij, ripohojnë mënyrën se si këto imazhe vijnë nga një kontekst tjetër, përtej oqeanit, dhe bëhen pjesë e kulturës sonë pamore latinoamerikane”.

Fakti që dimë se Botero ishte ndikuar nga arti parakolumbian - i cili shpesh paraqiste forma të mëdha e të rrumbullakosura - gjithashtu e vendos krijimtarinë e tij në një kontekst të ri. “Ai ndihej gjithmonë shumë kolumbian dhe përpiqej gjithmonë ta përfaqësonte mirë këtë vend në skenën ndërkombëtare”, thotë Botero Zea.

Për Gómez Echeverrin, Botero po e rrëzonte kufirin mes artit të lartë dhe artit të ulët. “Ai po thotë se ai kufi nuk ekziston - ato mund të jenë pjesë e të njëjtit sistem referencash”, thotë ai, duke shtuar se teksa disa mund ta kuptojnë “artin e lartë si evropian, klasik dhe të bardhë”, Botero në mendjen e tij po e përmbyste këtë ide. /Telegrafi/