82 mijë automjete shtohen në rrugët vendit për 10 mujorin; rritje e fortë e elektrikeve në tetor

Numri i mjete që qarkullojnë në rrugët e vendit sa vjen e po shtohet, ndonëse me ritme më të ngadalësuara se dy vitet e mëparshme.
Tetori ka shënuar rënie të fortë të regjistrimeve në total, por tendencë është rikthimi i interesit për mjetet elektrike, që ndryshe nga tendenca totale u rritën me 54% në muajin në fjalë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, për periudhën janar-tetor kanë hyrë në qarkullim për herë të parë 81.8 mijë automjete, me rënie prej 1.3% në krahasim me 10-mujorin e një viti më parë.
Në muajin tetor, u regjistruan për herë të parë 7,593 mjete, me një rënie të fortë prej 13% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Importet e mjeteve u ngadalësuan pas marsit, si rrjedhojë e vështirësive me transportin që u shfaqën pas konfliktit në ngushticën e Hormuzit, që rriti koston e automjeteve që vijnë nga Azia, ndonëse ato nuk kalonin direkt nga kjo ngushticë.
Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të jenë tregjet kryesore nga ku shqiptarët po preferojnë të marrin automjetet dy vitet e fundit.
Për 10-mujorin, rreth 21.5 mijë mjete, ose rreth 26% e regjistrimeve për herë të parë, e kishin origjinën nga Koreja e Jugut. Tre vitet e fundit, Koreja e Jugut po dominon, për shkak të çmimeve më të lira të blerjes nga shteti i largët.
Kina po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e interesi për makina elektrike. Rreth 16.2% e mjeteve që u regjistruan për herë të parë në janar-tetor, ose 13.3 mijë mjete, kishin origjinën nga Kina.
Gjermania dhe Italia, dy shtetet e dikurshme dominuese, kanë kaluar në vend të tretë dhe të katërt, përkatësisht me 9.8 dhe 9.3 mijë mjete për 10 mujorin.
Interesi për mjetet elektrike po rritet sërish, pas një ngadalësimi me fillimin e krizës së Lindjes së Mesme, që pengoi transportin e tyre nga Kina, që është destinacioni kryesor. Në tetor u shënua niveli më i lartë i mjeteve që hynë në qarkullim në vend që nga prilli, duke kaluar sërish nivelin e mbi një mijë, teksa u shënuan 1098 regjistrimeve për herë të parë.
Për 10-mujorin janë regjistruar gjithsej 8,891 mjete elektrike, ose 2 herë më shumë se e njëjta periudhë e 2025-s.
Mjetet elektrike përbënin 10.9% të regjistrimeve të mjeteve për herë të parë për periudhën janar-tetor, nga 10.5% që ishte pesha për 9 mujorin.
Marka BYD zë vendin e parë për mjetet elektrike që po regjistrohen për herë të parë në vend, me gati 5,389 mjete për periudhën janar-tetor, ose 61% të totalit të makinave që përdorin energjinë elektrike si lëndë djegëse.
Sipas llojit të markave, Volkswagen dhe Mercedes-Benz vijojnë të mbeten dy markat historikisht më të preferuara nga blerësit shqiptarë, me rreth 16% dhe 14.7% të regjistrimeve në periudhën janar-shtator 2026.
Në total, numri i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti në rreth 1.1 milionë në fund të tetorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.














