Një deputet iranian thotë se "raketat e Teheranit do të godasin Evropën nëse SHBA-ja përdor bazat e saj atje"

Ligjvënës iranianë kanë kërcënuar me sulme raketore vendet evropiane që strehojnë baza ushtarake amerikane, ndërsa mediat shtetërore paralajmëruan të mërkurën se çdo përballje e re me SHBA-në mund të arrijë deri në "zemër të Evropës".
"Nëse Amerika përdor bazat e saj në Evropë, përfshirë ato në Itali dhe Gjermani, raketat e Iranit do të lëshohen drejt Evropës", ka thënë për Euronews, Ahmad Bakhshayesh Ardestani, anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare në parlament.
"Në dy luftërat e mëparshme ne nuk e bëmë këtë, por këtë herë nuk do të lejojmë që ndihma e Evropës ndaj Amerikës për një sulm kundër Iranit të kalojë pa pasoja", ka shtuar Ardestani, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse Evropa po hynte në një fazë të re lufte me Iranin, Ardestani u përgjigj se vendet evropiane kishin qenë tashmë në luftë me Iranin në fazën e mëparshme, duke lejuar përdorimin e bazave të tyre.
Ai theksoi se Irani do të godasë çdo bazë që përdoret kundër tij dhe gjithashtu do të vërë në shënjestër "asetet materiale dhe jomateriale të vendeve që ndihmojnë Amerikën".
Ndërsa një anëtar tjetër i komisionit, Fada Hossein Maleki, tha se Irani ka përgatitur një qasje dhe skenar të ri për çdo konflikt të mundshëm, i cili, sipas tij, do t'i surprizonte si SHBA-në, ashtu edhe vendet evropiane. /Telegrafi/











































