Nga Alba Kepi/
Një grup kriminal me bazë në Tiranë dyshohet se organizonte transferimin e shumave të mëdha të parave cash nga Italia drejt Shqipërisë, duke përdorur një kompani shqiptare të makinave me qira. Sipas hetimeve të Antimafias italiane, përmes kësaj skeme mund të transferohej mbi 1 milion euro në vetëm gjashtë muaj. Grupi doli në dritë gjatë hetimeve për vrasjen mafioze të 26-vjeçarit Francesco Diviesti në Barletta, ku në qendër të akuzave është një shtetas shqiptar, i dyshuar si organizatori i ekzekutimit.
Bari, 4 nëntor 2026 – Hetimet e përbashkëta mes autoriteteve italiane dhe shqiptare për vrasjen e Francesco Diviestit kanë zbuluar një aktivitet të dyshuar të pastrimit ndërkombëtar të parave, me një skemë që lidhte Italinë me Shqipërinë përmes transferimit të parave të gatshme përtej Adriatikut.
Sipas Prokurorisë së Antimafias në Bari, grupi i strukturuar kriminal, me bazë në Tiranë, dyshohet se përdorte një kompani shqiptare të dhënies së automjeteve me qira për të transferuar shuma të mëdha parash nga Italia drejt Shqipërisë. Hetuesit kanë evidentuar se kjo skemë kishte kapacitetin për të lëvizur mbi 1 milion euro brenda vetëm gjashtë muajve.
Zbulimi i kësaj veprimtarie financiare kriminale është bërë gjatë hetimeve për vrasjen e Francesco Diviestit, të ekzekutuar më 25 prill 2025 në zonën e Canosa di Puglia-s. Në qendër të hetimeve për vrasjen është një shtetas shqiptar, i arrestuar më 26 maj 2026, i dyshuar nga autoritetet italiane si organizatori i krimit dhe personi që synonte të vendoste kontrollin e tij mbi aktivitetet e shpërndarjes së drogës në Barletta.
Një tjetër arrestim mëngjesin e sotëm
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, 4 nëntor 2026, efektivët e Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA) në Bari dhe të Policisë së Andrias kanë kryer një tjetër arrestim në kuadër të së njëjtës dosje hetimore.
Në pranga ka rënë një person me precedentë penalë nga Minervino Murge, ndaj të cilit Gjykata e Barit kishte lëshuar një urdhër arresti me burg, me kërkesë të Prokurorisë Antimafia.
Ai dyshohet se ka ofruar mbështetje logjistike për tre personat e dyshuar si ekzekutorë materialë të vrasjes, një shtetas shqiptar dhe dy shtetas italianë, të arrestuar më 26 maj 2026. Sipas hetuesve, ndihma e tij ka qenë e rëndësishme si gjatë kryerjes së vrasjes, ashtu edhe në fazën e mëvonshme të fshehjes së armëve dhe zhdukjes së trupit të viktimës.
Shqiptari dyshohet si organizatori i vrasjes për kontrollin e drogës
Sipas rindërtimit të hetuesve, vrasja e Diviestit dyshohet se ishte pjesë e një përpjekjeje për të konsoliduar kontrollin kriminal mbi tregun e narkotikëve në Barletta.
Shtetasi shqiptar, i arrestuar në maj, dyshohet se kishte organizuar ekzekutimin për të imponuar supremacinë e tij kriminale në qytet, me bashkëpunimin e dy personave të tjerë.
Hetimet janë mbështetur edhe në deklarimet e një personi që ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë, i cili ka dhënë detaje të reja mbi dinamikën e vrasjes.
Mbrëmjen e 25 prillit 2025, Francesco Diviesti ishte përfshirë në një konflikt fizik me disa persona me precedentë penalë në një lokal në Barletta.
Pas përplasjes, ai u dërgua në disa shpella në një zonë të izoluar të Murgias së Lartë, në territorin e Canosa di Puglia-s, ku u qëllua nga afër me pesë plumba të shkrepur nga dy pistoleta.
Një ditë më vonë, trupi i tij u dogj mes gomave të automjeteve, me qëllim zhdukjen e kufomës dhe eliminimin e çdo gjurme të krimit. Sipas hetuesve, kjo mënyrë veprimi rikujtonte teknika kriminale të përdorura gjatë viteve 1990 në territorin e provincës Barletta-Andria-Trani.
Më 26 maj 2026, në kuadër të një hetimi të përbashkët mes Drejtorisë së Antimafias në Bari dhe Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë (SPAK), me mbështetjen dhe koordinimin e Eurojust-it, u ekzekutuan masa sigurie ndaj 15 personave.
Ata dyshohen, në nivele të ndryshme përfshirjeje, për vrasje me paramendim me metoda mafioze, tentativë zhvatjeje, armëmbajtje pa leje, favorizim të autorëve, shkelje të masave të parandalimit dhe pastrim ndërkombëtar të parave nga Italia drejt Shqipërisë.
Hetimet për skemën financiare u zhvilluan nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Tiranë.
© SYRI.net