Buxheti 2027, Gogu: 27.1 mld lekë për sistemin e drejtësisë. Rriten me 66% fondet për Shërbimin e Provës

Politikë | 4 minuta më parë

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi në Komisionin e Ligjeve buxhetin e drejtësisë për vitin 2027, i cili parashikon rreth 27.1 miliardë lekë për sistemin e drejtësisë, ndërsa së bashku me fondin për kompensimin e pronave, kjo shifër shkon në 29.6 mld lekë.

Sipas ministrit, ky është buxheti më i lartë i akorduar deri më tani për drejtësinë dhe përfaqëson rreth 2.8% të shpenzimeve publike. Nga fondi total, rreth 27.1 miliardë lekë do të shkojnë për sistemin e drejtësisë, ndërsa 2.5 miliardë lekë për kompensimin e pronave.

Ministri përmendi si investimin më të rëndësishëm Qytezën e Drejtësisë në Tiranë, një kompleks që do të përfshijë godina për gjykatat, prokuroritë dhe shërbimet përkatëse, me synimin për të përmirësuar kushtet dhe funksionimin e institucioneve.

Po ashtu, Gogu bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë do të kenë në dispozicion 15.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.2% krahasuar me vitin 2026.

“Për sistemin e drejtësisë do të financohet me rreth 27.1 mld lekë ose 29.6 mld lekë sëbashku me fondin e kompensimit të pronave, kjo përfaqëson rreth 2.8% të shpenzimeve publike dhe një rritje me rreth 1.2%. rreth 18.8 mld lekë, thuajse 70% e buxhetit shkojnë për pagat. Sa i përket investimeve në sistemin e drejtësisë janë parashikuar 2.75 mld lekë në 2027, 6% më shumë se një vit më parë, ku një drejtim shumë i rëndësishëm është modernizimi i administrimit të çështjeve në sistemin e drejtësisë, si në gjyqësor edhe në prokurori. Investimet në infrastrukturën e drejtësisë. Qyteza e drejtësisë në Tiranë do të jetë investimi më i madh sa i përket godinave të gjykatave, të prokurorisë në Tiranë. Do të jetë lagjja e dytë pas Polit të Drejtësisë, një kompleks që synon kushte më funksionale për gjykata, prokuroritë dhe shërbimet e gjykatave. Tek Ministria e Drejtësisë do të kemi 15.7 mld lekë me institucionet e drejtësisë. Është një rritje prej 1.2% ndaj buxhetit aktual”, tha Goku.

Një prej ndryshimeve të rëndësishme lidhet me Shërbimin e Provës, fondet e të cilit do të rriten me 66%, nga 255 milionë në 424 milionë lekë. Sipas Gogut, ky shërbim nuk do të kufizohet më vetëm në mbikëqyrjen e personave të dënuar, por do të ndjekë individualisht rastin e secilit.  Nga kjo qasje, sipas ministrit, pritet të përfitojnë mbi 1,000 të dënuar, ndërsa sistemi i mbikëqyrjes elektronike parashikohet të nisë funksionimin në muajin mars.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme